“Vendimi për ish-krerët e UÇK-së është marrë para gjyqit”/ Andoni: Besoj se dënimi do të jetë më i lehtë sesa 45 vitet e kërkuara
Në një lidhje direkte për Ora News, analisti Ben Andoni ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Hagë dhe pritshmëritë për vendimin.
Andoni u shpreh se bindja e tij është që vendimi për ta është marrë shumë kohë përpara se të fillonte gjyqi dhe se i gjithë procesi ka shërbyer për të konfirmuar një qëndrim të paramenduar nga trupi gjykues.
“Besoj që vendimi për ta është marrë shumë kohë përpara se të fillonte gjyqi. Ose edhe sot që ne flasim, dënimi është në kokën e gjykatësve për ta. I gjithë procesi ka qenë thjesht për të verifikuar atë që gjykata ka pasur në kokë.”- tha ai.
Sipas tij, dënimi që pritet do të jetë më i lehtë sesa 45 vitet e kërkuara nga prokuroria, por procesi ka nxjerrë në pah dobësitë e brendshme të shoqërisë.
“Personalisht, besoj që dënimi do jetë shumë më i lehtë sesa 45 vitet që është kërkuar për ta. Ky moment na ka mësuar shumë që në momente të vështira ne jemi të përçarë dhe konfuzë.”- shtoi Andoni.
Ai gjithashtu shtoi se mbështetja për figurat e UÇK-së duhej të kishte nisur më herët, përmes angazhimit më të fortë diplomatik dhe lobimit ndërkombëtar.
“Ndihma për njerëzit e UÇK-së duhet të fillonte shumë kohë më përpara. Duke ditur kapacitetet tona të munguara, do ishte më mirë që nëpërmjet lobimeve të ndryshme të manovronim për ta zbutur barrën mbi ta.”- ka thënë analisti.

