“TANGO” PËR REFORMËN ZGJEDHORE! Gjiknuri: Shans historik. Bylykbashi: Seriozitet, jo fjalë në letër

Komisioni për Reformën Zgjedhore rifilloi punën pas rikthimit të opozitës në tryezë, por me hijen e mosmarrëveshjeve të vjetra. Ligji për financimin e Partive do të jetë I pari edhe si kërkesë e BE. Mazhoranca propozon numërimin e votave në qendrat e votimit, ndërsa opozita kërkon lista 100% të hapura, duke e bërë reformën një nga betejat kryesore politike të muajve në vijim.

Puna për reformën zgjedhore rifilloi me ritme të reja, por me hijen e vonesave dhe mosmarrëveshjeve të vjetra që rëndojnë ende mbi tryezën e bisedimeve.

Komisioni i posaçëm parlamentar që duhej të kishte mbyllur punën për ligjin e financimit të partive politike që në dhjetor 2025, u rikthye në pikën zero.

Pas disa javësh bojkoti nga Partia Demokratike, këtë të premte opozita u ul sërish në tavolinë bashkë me mazhorancën socialiste.

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialist i komisionit,  foli për një shans historic pas dekadash dështimesh, një ligj zgjedhor të gjithëpranuar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, insistoi në seriozitet dhe mbi të gjitha në zbatueshmëri reale të ligjit, jo thjesht fjalë në letër.

Piketat e para u vendosën qartë. Partia Socialiste synon numërimin e votave direkt në qendrat e votimit, ndërsa opozita kërkon lista plotësisht të hapura, ku vota preferenciale e qytetarit të ketë peshë vendimtare, jo vetëm dekorative.

Partitë e vogla, që prej kohësh ankohen se të mëdhenjtë po dizajnojnë sistemin sipas interesave të tyre të ngushta politike, u ftuan në tryezë me të drejta të plota për të shprehur mendimet dhe propozimet, por pa të drejtë vote në vendimet finale.

Në mesin e këtij baleti institucional, me aq shumë ekspertë sa mund të krijojnë një simfoni të tërë, Ulsi Manja i socialistëve doli me batutë, duke lehtësuar pak tensionin në një sallë ku zakonisht fryma politike është e rëndë.

 “Të marrim edhe ekspertë nga Bordi i Paqes dhe OKB.”