KISHAT E MENÇURISË!/ Vjen në shqip vëllimi për “Shën Sofi-të” në të gjithë botën

Një libër i vecantë kushtuar të gjitha kishave që mbajnë emrin Shën Sofia në Botë, erdhi edhe në Shqip. Promovimi bëri bashkë përfaqësues të shtetit shqiptar e atij grek me drejtues të Kishës ortodokse e studiues

“SHËN SOFIA (Kishat e Mënçurisë së Tënzotit nëpër botë)”, një vëllim kushtuar trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore të kishave që mbajnë emrin e Shën Sofisë në vende të ndryshme të botës erdhi edhe në shqip.

Promovimi në Akademine e Shkëncave bëri bashkë përfaqësues të politikës nga Shqipëria e Greqia, me kreun e Kishës Ortodokse shqiptare dhe studiues.

Përfaqësuesi i Parlamentit Grek, Maximos Charakopoulos, i cili vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve dhe rëndësinë e dokumentimit të trashëgimisë ortodokse në nivel ndërkombëtar.

“Besonim se Shqipëria nuk duhej të mungonte në listën e gjatë të këtij vëllimi. Kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm; njëkohësisht, Shqipëria ka privilegjin të përfshijë fe dhe dogma të ndryshme brenda qytetërimit të saj fetar.”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili e cilësoi këtë botim si një dëshmi të rëndësishme të dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, u ndal në domethënien teologjike të Shën Sofisë si shprehje e Mënçurisë së Perëndisë.

Botimi është përkthyer tashmë në 15 gjuhë të ndryshme dhe erdhi në Shqipëri falë bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë.