Osmani thërret nesër seancën për konstituim të Kuvendit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka thirrur për të mërkurën, 11 shkurt, seancën për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit të presidencës së Kosovës, vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke marrë parasysh urgjencën për krijimin e institucioneve të reja, miratimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Vendimi i presidentes vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.