Zhllima: Të shfuqizohet Gjykata Speciale me një ligj, kjo është nisma që mund të kthejë krerët e UÇK-së në Kosovë

I ftuar në emisionin "Drejt" në "Ora News" ishte avokati Gylsen Zhllima, i cili theksoi se partitë politike të Kosovës duhet të marrin iniciativë për të shfuqizuar ligjin e vitit 2015 dhe për të garantuar sovranitetin e vendit.

"Partitë politike të Kosovës duhet të marrin një iniciativë vendimmarrëse, duke normuar me ligj dhe duke shfuqizuar me një nen gjykatën dhe prokurorinë speciale, që mos të bëhet gjyqi i tyre si një gjyq i cili dalin fitimtarë serbët.

Shumë e thjeshtë. Kërkohet vullnet politik dhe çfuqizim i ligjit të 2015-ës dhe ata të rikthehen në Kosovë dhe Shqipëria dhe Kosova të bëjnë një pakt kombëtar përsa i përket mbrojtjes së Kosovës.

Asgjë më shumë. As fakteve çfarë thotë prokuroria, as se si kanë stisur të gjithë atë film, aktorë, regjisorë, skenaristë.

Por duhet vullnet politik. Uroj që vullneti politik të vijë pikërisht nga Kosova, nga Albin Kurti dhe nga politikanët e Kosovës që kanë vuajtur vetë.

Kur flitet në emër të Kosovës jashtë territorit të saj, sigurisht që vullneti i sovranit prevalon më shumë se çdo lloj vullneti tjetër. Por, ne duhet të kemi parasysh që sovrani është populli dhe populli është ai që është qendrestar.

Marrëveshjet politike dhe marrëveshjet ndërkombëtare mund të edhe të shfuqizohen. Nuk do të thotë që mund të rrinë ashtu siç janë gjithmonë, kur cenohet sovraniteti i brendshëm i një vendi.

Në rast se klasa politike mblidhet dhe vendosin të shfuqizojnë një ligj të tillë, sigurisht që do të marrin edhe masat të normojnë një ligj tjetër përsa i përket një marrëveshje të ardhme me garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës", u shpreh Zhllima.