Dekorohet ekipi i FSK-së pas operacionit në Shqipëri për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari priti në takim pjesëtarët e njësisë së Kërkim Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të gjetjes së trupit të pajetë të 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Ulzës.
Fillimisht, Gjeneral Jashari falënderoi pjesëtarët që kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Klos, të Republikës së Shqipërisë.
“Me këtë rast Jashari i përgëzoi për punën, profesionalizmin dhe angazhimin pjesëtarët në fjalë, të cilët e përfunduan me sukses këtë operacion në kushte të ftohta dimërore”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, Jashari dekoroi pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion humanitar me medaljen “Shërbim Vetëmohues” dhe dekoroi me “mirënjohje” njësinë në fjalë.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal duke dëshmuar ngritje të kapaciteteve dhe profesionalizëm si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Të shtunën, me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) angazhoi kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, për t’iu bashkuar operacionit të kërkimit të një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat, në zonën e Klosit.
Operacioni kërkim-shpëtimi ka zgjatur dhjetë ditë dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare. Pas angazhimit intensiv në terren, ekipet e përbashkëta kanë arritur të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur. /KosovaPress/

