ILD evidenton problematika në zbatimin e ligjit të amnistisë, paralajmëron inspektime
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka përfunduar verifikimin e nisur kryesisht mbi zbatimin e ligjit “Për dhënie amnistie”, pas shqyrtimit të të dhënave të administruara pranë gjykatave dhe zyrave të prokurorive, si dhe informacionit të publikuar në media lidhur me problematika në zbatimin e këtij ligji.
Sipas ILD-së, iniciativa synon garantimin e një zbatimi të drejtë dhe efektiv të nismave penale për dhënie amnistie, në respektim të parimit të humanizmit të drejtësisë penale dhe të rehabilitimit e riintegrimit shoqëror të të dënuarve, në përputhje edhe me standardet e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në kuadër të verifikimit, ILD ka administruar të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbi problematika të mundshme gjatë zbatimit të ligjit, veçanërisht në lidhje me zbardhjen e vendimeve gjyqësore, nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit nga prokuroritë dhe çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e magjistratëve. Po ashtu, janë ushtruar kontrolle në disa gjykata dhe zyra prokurorie për ekzekutimin e vendimeve penale të formës së prerë.
Në përfundim të verifikimit janë konstatuar disa problematika, mes të cilave konfuzion në interpretimin e dispozitave për fillimin e ekzekutimit nga prokurori, mosveprim i menjëhershëm për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit pas administrimit të vendimit të shkurtuar, si dhe praktika të ndryshme në zbatimin e dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat. Gjithashtu, janë evidentuar vonesa në përcjelljen e vendimeve të formës së prerë, mospërputhje datash në administrimin e tyre nga prokuroritë dhe mangësi në pasqyrimin e të dhënave në librat e brendshëm të ekzekutimit.
ILD ka analizuar këto gjetje në raport me kuadrin ligjor dhe jurisprudencën kushtetuese, duke theksuar se problematikat duhet të mbahen në vëmendje nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokuroria pranë saj, si dhe nga të gjitha gjykatat e shkallëve të para dhe zyrat e prokurorive përkatëse.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizon domosdoshmërinë e respektimit rigoroz të afateve ligjore dhe të bashkërendimit institucional për ekzekutimin e vendimeve penale, në mënyrë që të garantohet ushtrimi i të drejtave të njohura për të paraburgosurit dhe të dënuarit, veçanërisht në rastet e ligjeve të posaçme si amnistia.
Po ashtu, ILD vëren se gjetjet e këtij verifikimi duhet të trajtohen në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve dhe nga drejtuesit e zyrave të prokurorisë, ndërsa informon se, në varësi të nevojave të sistemit dhe prioriteteve institucionale, do të vlerësojë kryerjen e një inspektimi tematik mbi procedurat dhe afatet e ekzekutimit të vendimeve penale në gjykata dhe prokurori.

