ANALIZA/ Si u bë Scott Bessent djaloshi i artë i Trump-it?
Gjatë një darke të vonë në Davos, Scott Bessent e përmbysi plotësisht marrëveshjen e Çagosit.
Ulur përballë Nigel Farage-it, kreut të Reform UK, të dy diskutuan me përbuzje planin e Sër Keir Starmer-it për t'ia dorëzuar Ishujt Çagos Mauritiusit.
Në fund të darkës, Farage ishte i bindur se marrëveshja e krijuar me kujdes nga kryeministri nuk kishte më mbështetjen e Uashingtonit.
Në ditët që pasuan, Donald Trump u kthye kundër marrëveshjes dhe zyrtarët në Londër u përpoqën me ngut ta bindnin që ta mbështeste.
Ky takim i vetëm ishte ndoshta shenja më e qartë deri tani se Bessent, sekretari amerikan i Thesarit, ishte ngritur në figurën më me ndikim të administratës.
"Scott është çelësi drejtë të ardhmes, çelësi për dy vitet e ardhshme," tha një burim pranë administratës. "Nëse do që karriera jote të ecë para, lidhu me Scott-in."

Disa burime pranë administratës thanë se Bessent shihet si figura më e matur dhe me peshë në vendimmarrje, duke pasur më shumë ndikim se mbështetësit e linjës së ashpër për tarifat, si këshilltari tregtar i presidentit Peter Navarro dhe sekretari i tregtisë Howard Lutnick.
Ai tani konsiderohet anëtari më i preferuar i kabinetit nga Trump-i, përpara Stephen Miller-it, zëvendësshefi ikabinetit, dhe Marco Rubio-s, sekretari i shtetit.
Po si u bë ky miliarder, ish-menaxher fondesh investimi, një figurë dominuese në Shtëpinë e Bardhë?
Aftësitë e tij u provuan kur ishte një nga njerëzit e besuar të George Soros-it, kur ky i fundit vuri bastkundër paundit britanik në të Mërkurën e Zezë.
Në 30-at, Bessent, i njohur si "vrasësi i heshtur" për talentin e tij në Wall Street, i solli fondit Soros rreth 1.5 miliardë dollarë fitim në një nga transaksionet më të famshme në histori.
Pavarësisht lidhjes me miliarderin liberal Soros, i urryer nga e djathta, Trump e respekton ish-këshilltarin e tij ekonomik. Madje e ka përshkruar si "një djalë simpatik dhe një nga njerëzit më brilantë në Wall Street".
Kur drejtues të Wall Street-it u irrituan nga mungesa e njohurive ekonomike të Lutnick-ut në paraqitjet publike në prill, ishte Bessent ai që u nxor përpara kamerave për të qetësuar situatën.

Dhe pas planit të Trump-it për tarifa në "ditën e çlirimit", që fshiu triliona dollarë nga tregjet globale, roli i Bessent-it u forcua edhe më shumë.
Publikisht ai mbrojti linjën zyrtare të administratës për tarifat, por privatisht e shtyu presidentin drejt negociatave.
Me 9 prill, rreth tavolinës Resolute Desk, ai ndihmoi në hartimin e deklaratës 161-fjalëshe të presidentit për pezullimin 90-ditor të tarifave reciproke, gjë që solli një korrigjim historik në tregje.
Nuk është çudi që ai u dërgua në Davos për Forumin Ekonomik Botëror në janar, disa ditë para presidentit, për të përgatitur terrenin me drejtuesit më të fuqishëm të botës.
"Ai ishte si vala e parë në Normandi, dhe Trump erdhi më pas si gjeneral Patton-i për të goditur në zemër të Rajhut," tha një burim pranë presidentit.
Por ajo që duket se e vulosi statusin e tij ishte një përplasje në korridoret e Krahut Perëndimor. Thuhet se ai u përball ashpër me Elon Musk-un, ish-shefin e efikasitetit qeveritar, në një debat i ashpër, para syve të presidentit.
Steve Bannon kujtoi se Bessent e quajti Musk-un "një mashtrues" pse nuk zbuloi 1 trilion dollarë shpenzime të kota, siç kishte premtuar.
Më vonë, Musk u largua nga Shtëpia e Bardhë pas një përplasjeje publike me Trump-in.
Deri në fund të vitit 2025, sipas burimeve, Bessent po përdorte dorën e tij të qetë edhe për luftën në Ukrainë. Ai ishte ndër figurat kryesore që informuan presidentin për mundësinë e një marrëveshjeje financiare me Rusinë, para takimit ballë për ballë me Vladimir Putinin në Anchorage të Alaskës.

Idetë e tij përfshinin hapjen e burimeve natyrore të Alaskës për Rusinë dhe lehtësimin e disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ruse të aviacionit.
Nga tarifat te Ukraina, Bessent është ndoshta personi më i testuar në kabinetin e Trump-it. Megjithatë, ai ka qëndruar në favorin e presidentit falë maturisë dhe qetësisë së tij.
Sot, në Shtëpinë e Bardhë, ndikimin më të madh nuk e ka më zëri më i lartë, por njeriu që di të qetësojë ujërat. / The Telegraph – Syri.net


