"Jeffrey i shkroi një email vetes"/ Bill Gates i penduar: U tregova budalla që kalova kohë me të

Bill Gates ka thënë se u tregua "budalla" që kaloi kohë me Jeffrey Epstein, duke theksuar se i vjen keq për çdo kontakt që pati me të. Në fakt, ai pretendoi se emaili i përfshirë në dokumentet e publikuara së fundmi nuk i është dërguar kurrë.

Sipas mediave të huaja, Gates duket se po i referohet një emaili të korrikut 2013 që ishte shkruar sikur t'i ishte drejtuar atij, me përshëndetjen " I dashur Bill" , por i ishte drejtuar vetë Epstein. Në të, Epstein akuzon Gates se ka injoruar miqësinë e tyre dhe i referohet një sëmundjeje seksualisht të transmetueshme, ndërsa pretendon se iu kërkua të siguronte antibiotikë që do t'i jepeshin fshehurazi gruas së tij të atëhershme, Melinda French Gates.

Në një intervistë në Australi, miliarderi tha se emaili në fjalë nuk u dërgua kurrë, duke pretenduar se Epstein ia kishte shkruar vetes. "Me sa duket, Jeffrey i shkroi një email vetes. Nuk u dërgua kurrë dhe nuk e di çfarë po mendonte. Isha një nga shumë njerëz që pendohen që e kanë njohur”, tha ai. Gates tha se kontaktet e tij me Epstein ishin të kufizuara në darka duke shtuar se, nuk e kishte vizituar kurrë ishullin e tij privat dhe nuk kishte kontakt me gra. “Sa më shumë prova që dalin, aq më e qartë bëhet se, ndërsa ai kontakt ishte i gabuar, nuk kishte të bënte fare me këtë lloj sjelljeje”, vuri në dukje ai.