EMRAT+FOTO/ Furnizonin Anglinë me lëndë narkotike. Dënohen me burg 4 shqiptarë, tjetri ekstardohet në Shqipëri
Katër shqiptarë janë dënuar me burg nga autoritetet britanike për përfshirje në trafikim droge kryesisht kokainë, në zonën e Cumbria Jugore, pranë kufirit të Anglisë me Skocinë. Sipas mediave angleze, katër prej tyre u shpallën fajtorë ndërsa një i pestë ishte dënuar më herët dhe është ekstraduar në Shqipëri.
Të dënuarit janë:
Erald Sulaj, 22 vjeç, nga Dacre Gardens, Boreham Wood – 33 muaj burg
Ergys Elezi, 22 vjeç, pa adresë fikse – 30 muaj burg
Sokratis Lleshaj, 21 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 24 muaj burg
Perlat Hamza, 36 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 32 muaj burg
Ndërkohë, Egzon Doci, 31 vjeç, nga Roxeth Hill, Harrow, ishte dënuar më herët me dy vjet e tre muaj burg pasi pranoi posedimin me qëllim furnizimin me kokainë. Pas përfundimit të dënimit, ai është deportuar në Shqipëri.
Hetimi nisi më 14 mars, kur oficerët e policisë në Barrow-in-Furness vunë re dy persona që vepronin në mënyrë të dyshimtë në zonën e Storey Square. Gjatë ndërhyrjes, Egzon Doci u përpoq të largohej me vrap. Një dëshmitar e pa atë duke hedhur një send mbi çatinë e një ndërtese. Policia gjeti një çorape që përmbante mbështjellëse me kokainë. Kontrolli në banesën e tij në Rawlinson Street çoi në sekuestrimin e sasive të tjera të drogës, rreth 1,000 paund para të gatshme dhe materiale për paketimin e saj.
Arrestime të tjera në Barrow
Më 1 maj 2025, policia ndaloi një automjet Peugeot 208 në Devonshire Road, pas drejtimit të dyshimtë. Shoferi, Sokratis Lleshaj, rezultoi pozitiv për kokainë dhe kanabis, ndërsa në automjet iu gjetën qese me kokainë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet edhe Perlat Hamza. Në apartament u sekuestruan 34 qese të vulosura me kokainë, përfshirë 16 të fshehura në një çorape nën dyshek, si dhe shuma të konsiderueshme parash të gatshme.
Hetim në shkallë kombëtare
Më 21 korrik 2025, Erald Sulaj dhe Ergys Elezi u ndaluan nga policia në autostradën M1 në Northamptonshire, të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet furnizimi me drogë që vepronte në Cumbria Jugore. Një kontroll në një adresë të lidhur me ta në Kingston-upon-Thames, Londër, zbuloi rreth 3 kg kokainë, me vlerë deri në 9,000 paund, si dhe mbi 20,000 paund para të gatshme.
