SINJALIZONIN PUSHIMET NGA PUNA/ Akuzohen dy inxhinierë të rrjetit të punonjësve të Pinterest

Pinterest ka shkarkuar dy inxhinierë të saj pasi ata krijuan skripte që aksesonin në mënyrë të paautorizuar të dhëna konfidenciale për të identifikuar punonjësit e pushuar nga puna gjatë një vale shkurtimesh. Ngjarja vjen në një periudhë kur kompania po redukton rreth 15% të stafit, ndërsa industria e teknologjisë po kryen largime masive nga puna në mbarë botën.

Kompania teknologjike Pinterest ka shkarkuar dy inxhinierë pasi ata krijuan një program të brendshëm për të identifikuar se cilët punonjës do të largoheshin nga puna në një valë të re shkurtimesh.

Pinterest njoftoi së fundmi se do të reduktonte rreth 15% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 700 vende pune.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Bill Ready, shkruante në një email të brendshëm se kompania po “dyfishon fokusin në një qasje të orientuar drejt inteligjencës artificiale”, sipas një punonjësi që e publikoi një pjesë të mesazhit në LinkedIn.

Megjithatë, kompania nuk bëri publike se cilat ekipe apo individë do të prekeshin nga këto shkurtime.

Sipas një zëdhënësi të Pinterest për BBC-në, dy inxhinierët krijuan skripte kompjuterike që aksesonin informacione konfidenciale të kompanisë për të identifikuar emrat dhe vendndodhjet e punonjësve q[ do të shkarkoheshin, të cilat më pas u shpërndanë më gjerësisht brenda kompanisë.

“Kjo përbënte një shkelje të qartë të politikave të Pinterest dhe të privatësisë së kolegëve të tyre,” deklaroi zëdhënësi.

Skripti, në këtë rast, ishte një kod kompjuterik i krijuar për të automatizuar një proces. Ai ishte i lidhur me mjetet e brendshme të komunikimit të kompanisë dhe krijonte sinjalizime kur emrat e punonjësve hiqeshin ose çaktivizoheshin nga platforma të tilla si Slack, duke treguar indirekt se kush ishte prekur nga pushimet nga puna.

Industria e teknologjisë ka përjetuar valë të vazhdueshme shkurtimesh në vitet e fundit.

Vetëm gjatë së njëjtës javë që Pinterest njoftoi largimet, Amazon hoqi nga puna rreth 16 mijë punonjës në raundin e dytë të shkurtimeve brenda tre muajve.

Ndërkohë, Meta ka shkurtuar gjithashtu disa qindra vende pune më herët këtë vit.

Sipas të dhënave të Layoffs.fyi, një faqe që monitoron pushimet nga puna në sektorin e teknologjisë, mbi 700 mijë persona janë larguar nga puna në këtë industri gjatë katër viteve të fundit.