INTERVISTA E PLOTË/ Politikani nga Teksasi, Collins: Trump ka shumë respekt për kombin e Shqipërisë dhe për popullin shqiptar
Presidenti I SHBA, Donald Trump pa respekt për Shqipërinë e Shqiptarët! Ky është një mesazhet Kryetari i Senatit Rinor të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kristian Kollins, përcolli në intervistë për Ora News. Të plotë mund ta ndiqni në edicionin e orës 15:00
"Nga sa kuptoj unë, Trump ka shumë respekt për kombin e Shqipërisë dhe për popullin shqiptar."
Ky është mesazhi që përcolli në një intervistë ekskluzive për Ora News, Christian Collins, kryetar i Senatit Rinor të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vizitoi Shqipërinë së fundmi.
"Dhe ai po bën gjithçka që mundet për të sjellë paqe dhe liri në këtë rajon."
Donald Trump e cilësoi si presidentin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I pyetur për protestat kryesisht kundër Forcave të ICE, sic njihet ndryshe Agjencia për Zbatimin e Ligjit të Emigracionit dhe Doganave, kryetari i Senatit Rinor të Teksasit that se ato nuk janë protesta të popullit, por sipas tij janë të financuara nga e majta në Amerikë.
Për politikën, Ai deklaroi se i ashtuquajturi brez i vjetër duhet t’u japë mundësi të rinjve të përfshihen në politikë, përmes drejtimit të atyre me eksperiencë
Krahas takimeve në Shqipëri, Christian Collins qëndroi edhe në Kosovë, ku takoi presidenten Vjosa Osmani dhe më pas edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.
INTERVISTA E PLOTË:

Isa Myzyraj: Tani do të kalojmë te intervista me Christian Collins, kryetar i Samitit Rinor të Teksasit. Zoti Collins, mirëse erdhet në Shqipëri. Është hera juaj e pare Këtu?
Christian Collins: Është vërtet një nder të jem këtu me ju dhe në Shqipërinë tuaj të bukur. Është hera ime e parë dhe jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu. Jam në Shqipëri sepse i dua njerëzit shqiptarë. Kam disa miq shumë të dashur në Teksas. Njëri prej tyre quhet Joe Haliti dhe ai zotëron bashkë me vëllain e tij, Nik Haliti, restorantin “Joe’s Italian”.
Ai është si një hero në Teksas. Shumë i njohur sepse bën kaq shumë vepra bujare për komunitetin: shpërndan ushqim falas, ndihmon shumë njerëz — nga oficerët e policisë, te mësuesit dhe zjarrfikësit. Në çdo fatkeqësi natyrore, Joe Halidi është gjithmonë aty për të ndihmuar njerëzit.
Isa Myzyraj: Para se të vinit në Shqipëri, ishit në Prishtinë. Si shkoi vizita juaj atje?
Christian Collins: Para se të vija këtu, shkova në Kosovë dhe nuk e dija që të gjithë në Kosovë janë shqiptarë — gjë që për mua ishte një surprizë shumë e bukur. Mësova shumë për Kosovën. Ishte një përvojë e mrekullueshme.
Isa Myzyraj: Në Teksas, ju jeni mjaft aktiv në Politikë. Në Shqipëri flitet shpesh se të rinjtë janë të zhgënjyer nga politika. Si i motivoni ju të rinjtë në Teksas të mos dorëzohen?
Christian Collins: Theksi me të rinjtë është që ata të kenë vlera, të kenë besim dhe të kenë një arsye dhe qëllim për ekzistencën, dhe gjithashtu të jenë politikisht aktivë dhe të ndikojnë në kulturën politike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi njerëz me moral të mirë në pozita dhe pushtet. Dhe si i krishterë, emri im është Christian dhe vij nga një komb i krishterë. Shkrimi në Biblën tonë thotë te Fjalët e Urta 29 se kur të drejtët janë në pushtet, populli gëzohet; kur sundojnë të ligjtë, populli vajton. Dhe kështu ne duam të krijojmë të rinj që kanë integritet, që marrin vendimet e duhura, në mënyrë që të mund të jenë në pozita udhëheqëse kur të rriten dhe të udhëheqin kombin. Kjo është ajo që shpresojmë për të rinjtë tanë, që ata të mund të jenë liderë.
Por jo të gjithë do të jenë liderë. Kështu që ne duam që njerëzit të martohen, të kenë familje, të kenë fëmijë dhe të jenë liderë të shtëpive të tyre. Të jenë qytetarë të mirë që bëjnë punë të mira, që kanë integritet dhe që i bëjnë komunitetet e tyre dhe vendin e tyre një vend më të mirë. Dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë.
Isa Myzyraj: Në Ballkan kemi një problem me liderët e vjetër politikë. Mendoni se të vjetrit duhet tu lënë vendin të rinjëve, apo ata duhet të luftojnë për të ardhmen e tyre politike?
Christian Collins: Mendoj se është shumë e rëndësishme, nëse dëshiron të kesh një komb të suksesshëm, që të kesh një plan trashëgimie. Me fjalë të tjera, duhet të trajnohen liderët dhe njerëzit më të vjetër duhet të mentorojnë të rinjtë, dhe të rinjtë duhet të kërkojnë mundësi për t’u mentoruar nga njerëz më të vjetër. Kjo marrëdhënie ndërbrezore është ajo që do të krijojë liderë në vendin tuaj. Dhe që kjo të ndodhë, të rinjtë duhet të jenë në pozita udhëheqëse. Ne jemi ulur në një tryezë. Të rinjtë kanë nevojë për një pozicion dhe një vend në tryezë ku t’u jepen mundësi për të qenë liderë.
Dhe do të shpresoja që disa nga njerëzit më të vjetër në Shqipëri t’i japin këto mundësi, t’i japin një shans një të riu dhe ta përcjellin më tej këtë gjë, në mënyrë që këta të rinj ta vazhdojnë këtë trashëgimi dhe një ditë, kur të jenë më të vjetër, edhe ata t’ua japin këtë mundësi të rinjve të tjerë. Nëse dëshiron që vendi yt të mbijetojë, duhet të kesh një vend ku njerëzit ndihen se kanë mundësi, përndryshe ata migrojnë diku tjetër, shkojnë në pjesë të tjera të botës sepse duan mundësi. Duan arsim, duan mundësi ekonomike, dhe kështu ata duhet të kenë mundësi këtu në Shqipëri.
Isa Myzyraj: Çfarë roli kanë të rinjtë në mbrojtjen e demokracisë në SHBA dhe çfarë mund të mësojë Shqipëria nga kjo përvojë?
Christian Collins: Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata të trajnohen me botëkuptimin dhe vlerat e duhura në mënyrë që të kuptojnë se socializmi… kudo që është provuar në botë, ka dështuar.
Dhe nëse dëshiron të kesh një vend të begatë dhe rritje ekonomike, atëherë duhet të kesh një perspektivë kapitaliste. Dhe ke nevojë për liderë që e kuptojnë kapitalizmin, sepse janë pronarët e kompanive, janë punëdhënësit ata që punësojnë punonjësit. Duhet të kesh mundësi për t’u dhënë njerëzve punë. Dhe mendoj se për shumë njerëz, kjo është gjendja njerëzore.
Nëse atyre u jepen mundësi, mundësi për të lulëzuar dhe për të pasur sukses dhe për të fituar para dhe për të siguruar familjet e tyre, kjo u jep atyre ndjenjë vlere dhe vetëbesimi, ku nuk varen aq shumë nga qeveria për t’u dhënë ndihma.
Por që kjo të ndodhë, duhet të kesh liderë që e kuptojnë rëndësinë e kapitalizmit dhe duhet të investosh në komunitetet dhe vendin tënd, ku sistemi politik duhet të jetë i tillë që të krijojë liri dhe mundësi për rritje.
Nuk mendoj se nëse unë kam diçka, dikush tjetër nuk mund të ketë diçka. Jo, është e kundërta. Kur unë kam diçka, mund të krijoj diçka ku edhe njerëz të tjerë mund të kenë diçka.
Dhe mund t’i nxjerrësh njerëzit nga varfëria me kapitalizëm.
Isa Myzyraj: Shumë të rinj shqiptarë largohen nga vendi për studime apo punë. A është emigrimi humbje apo mundësi, sipas jush?
Christian Collins: Unë jam i ndarë në mendime. Nëse ata duan të shohin botën, shumë mirë. Por ajo që do të ishte e mirë për kombin e Shqipërisë është që ata të kthehen në shtëpi, të marrin njohuritë e tyre dhe pastaj të ndërtojnë një Shqipëri më të mirë. Ta bëjnë këtë vend të madh duke hapur biznese dhe duke krijuar mundësi ekonomike për njerëz të tjerë dhe duke nxitur atë zhvillim.
Isa Myzyraj: A ka programe konkrete nga Samiti Rinor i Teksasit për shkëmbime akademike ose mentorim për të rinjtë shqiptarë?
Christian Collins: Ne do të ishim shumë të nderuar të mirëprisnim këdo nga Shqipëria që dëshiron të vijë në Samitin Rinor të Teksasit dhe çfarëdo që mund të bëjmë për të qenë ndihmues dhe mbështetës që kjo të ndodhë, kjo është një nismë për të cilën po them sot se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mirëpritur shqiptarët dhe këdo nga Kosova për të qenë pjesë e Samitit Rinor të Teksasit. Do të ishim shumë të nderuar të kishim këdo nga vendi juaj në Teksas.
Isa Myzyraj: Tani do të ndalem në disa pyetje politike. Si I shihni Shtetet e Bashkuara, Teksasin dhe Botën nën udhëheqjen e Presidenti Donald Trump?
Christian Collins: Unë jam republikan, mendoj se Presidenti Trump është presidenti më i mirë në jetën time. Dhe Presidenti Trump ka kaluar nëpër kaq shumë gjëra në vendin tonë. Kishte kaq shumë korrupsion. Ata u përpoqën ta fusin në burg. U përpoqën ta vrasin dy herë. Ia njollosën karakterin dhe gënjyen për të.
Ata bënë gjithçka që mundën për ta ndaluar përmes procedurave të shkarkimit dhe asaj që ai i quan gjyqe gjuetie shtrigash. Ata bënë gjithçka që ishte e mundur për ta ndaluar, dhe megjithatë ai ia doli sepse ka një vetëvendosmëri për ta bërë Amerikën përsëri të madhe. Dhe kur ai flet për ta bërë Amerikën përsëri të madhe, ajo që unë shoh është se Amerika pas Luftës së Dytë Botërore ishte kombi më i fuqishëm në botë, por për shkak të disa liderëve që kanë qenë në pushtet, ajo nuk ishte e fuqishme për një periudhë kohe dhe ne ia dorëzuam atë autoritet ndoshta disa vendeve të tjera në botë. Dhe nën Trump, njerëzit e kuptojnë se Amerika është ekonomikisht dhe ushtarakisht kombi më i fuqishëm në botë. Ai flet shumë qartë për diktatorët në mbarë botën.
Kur ai thotë diçka, ai e ka seriozisht. Ju më mirë të mos ngatërroheni me Amerikën. Dhe ai dëshiron të sigurojë që miqtë dhe aleatët tanë të mbrohen dhe të jenë të sigurt. Dhe njerëzit kanë frikë nga Trump sepse ai është i fortë. Dhe ai ka një mendësi të paqes përmes forcës. Ai nuk dëshiron luftë.
Dhe në fakt, ai i ndaloi shtatë luftëra që të ndodhnin në mbarë botën. Dhe ai vërtet e meritonte Çmimin Nobel për Paqen. Unë në fakt jam pjesërisht norvegjez. Kam një nënë që është norvegjeze. Dhe në Norvegji jepet Çmimi Nobel për Paqen.
Isa Myzyraj: Unë kam parë shumë video në rrjetet sociale nga SHBA javët e fundit, ICE, protesta, kaos, a është kjo amerika?
Christian Collins: Mund të them këtë: shikoni, ne duhet ta kemi mundësinë të protestojmë paqësisht në Amerikë. Por kjo nuk është ajo që po ndodh në Amerikë. Ajo që po ndodh në të vërtetë është se financohet nga njerëz si George Soros, dhe ajo që po ndodh nuk është aspak organike. Ata kanë pankarta të shtypura dhe sillen rreth e rrotull me këto pankarta. Janë pankarta të rreme. Askush nuk i ka bërë ato pankarta në shtëpi.
Ata nuk i kanë përgatitur ato pankarta në mënyrë organike. Janë pankarta të shtypura dhe këta njerëz janë protestues të paguar, dhe ata shkojnë nga qyteti në qytet dhe përpiqen të nxisin polemika. Dhe ata po përpiqen ta bëjnë atë që po ndodh me ICE të ngjashme me atë që ndodhi katër vite më parë me Black Lives Matter, dhe nuk është e njëjta gjë.
Njerëzit duhet ta kuptojnë se arsyeja pse ekziston ICE është sepse njerëzit që kanë ardhur në vendin tonë ilegalisht kanë vrarë kaq shumë njerëz. Shikoni rastin e Lake dhe Riley, për shembull. Nëse ata që po protestojnë do ta kuptonin se Lake dhe Riley, e ëmbla Lake dhe Riley, e cila po ashtu do të bëhej infermiere dhe ishte shumë e veçantë, dhe jeta e saj iu mor sepse u vra nga një emigrant ilegal.
Isa Myzyraj: Meqenëse e përmendet Sorosin, ai ka një ndikim shumë të madh në Ballkanin Perëndimor. Pse Republikanët janë kundër tij, çfarë po bën ai Keq?
Christian Collins: Nuk e di pse George Soros është ai që është. Mund të them vetëm se ai është në anën e gabuar të çdo çështjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është shumë i përqendruar që të sigurojë që krimi të mos ndiqet penalisht. Dhe për të pasur një shoqëri civile të sigurtë, krimi duhet të ndiqet penalisht.
Por ajo që ai bën në të vërtetë është se ai kap prokurorë në zona si ajo ku jetoj unë, në Qarkun Harris, ai kap prokurorë që ndjekin penalisht krimin. Ai siguron që ata të jenë sa më të butë dhe liberalë.
Kështu që nëse dikush bën diçka të tmerrshme dhe vret dikë, ai do të ketë një dënim shumë të lehtë. Dhe ai gjithashtu siguron që të zgjidhen gjyqtarë që nuk do të jenë të ashpër ndaj krimit.
Isa Myzyraj: Nuk e di nëse e dini, por shqiptarët janë një popull që pothuajse 90% e mbështet Amerikën dhe janë pro-amerikanë, çfarë mendoni për marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe SHBA-së?
Christian Collins: Nga sa kuptoj unë, Trump ka shumë respekt për kombin e Shqipërisë dhe për popullin shqiptar. Dhe ai po bën gjithçka që mundet për të sjellë paqe dhe liri në këtë rajon. Madje ai nuk e pëlqen as luftën Rusi-Ukrainë dhe ka bërë gjithçka që ka mundur për të sjellë paqe dhe stabilitet.
Ai flet me Zelenskyn, ai flet me Putinin gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të sjellë paqe në këtë rajon dhe ai nuk dëshiron më asnjë luftë.
Dhe ai do të bëjë gjithçka që mundet për të sjellë paqe dhe ai ka shumë respekt dhe është mirënjohës që kombi i Shqipërisë dhe kombi i Kosovës janë në Bordin e Paqes. Ai është mirënjohës që, nga sa kuptoj unë, ata ishin të dy në bordin e Paqes.
Isa Myzyraj: Kur jemi tek Bordi i Paqes, Shqipëria është vendi i parë në botë që ratifikoj marrëveshjen në Parlament...
Christian Collins: Kjo është e mrekullueshme. Po. Kjo është e mahnitshme. Dhe ne jemi shumë mirënjohës. Unë, si amerikan, mund të flas vetëm për veten time, jam shumë mirënjohës që ju qëndroni përkrah Amerikës në sjelljen e paqes në botë. Në çdo kohë
Isa Myzyraj: A keni ndonjë mesazh për të rinjtë shqiptarë në politikë dhe aktivizëm?
Christian Collins: Absolutisht. Mendoj se është e rëndësishme që të përfshiheni herët dhe të rinj në procesin politik. Në vendin tim, presidenti që unë e dua, Ronald Reagan, ka thënë se liria është vetëm një brez larg zhdukjes. E kuptoj që në vendin tuaj, sistemi politik që keni nuk është shumë i vjetër por Është shumë delikat.
Janë rreth tridhjetë e ca vite që keni funksionuar si komb pas rënies së regjimit komunist. Dhe e di që duke qenë në kufi me Kosovën, ka pasur shumë ndryshime që kanë ndodhur pas një lufte, dhe Amerika qëndroi përkrah aleatit të saj në Kosovë.
Dhe e gjithë kjo për të thënë se është e rëndësishme që të rinjtë ta kuptojnë atë që prindërit e tyre e dinin: se liria nuk është falas dhe se ata kanë mundësinë të rriten në paqe sepse njerëzit luftuan për atë liri. Dhe kështu ju duhet të luftoni në çdo brez për të vazhduar ta mbroni atë liri, sepse ne kurrë nuk mund të lejojmë diktatorë apo qeveri të këqija të marrin kontrollin dhe të na vendosin në një pozicion shtypjeje.
Isa Myzyraj: Zoti Collins, faleminderit shumë për këtë intervistë
Christian Collins: Isa, Është një nder i madh. Faleminderit që më ftuat.

