I MBIJETOI PESHKAQENIT/ Shtetasi britanik tregon për herë të parë se si ndodhi ngjarja
Pas sulmit të rrallë nga një peshkaqen, 66 vjeçari Peter Smith tregon për herë të parë se si ndodhi e gjithë ngjarja. Pavarësisht pasojave të përhershme shëndetësore, ai thotë se është e pabesueshme që mbijetoi.
Një shtetas britanik i cili mbijetoi pas një sulmi të rrallë nga një peshkaqen ka treguar për herë të parë të gjithë atë që ndodhi në prillin e 2024-ës në ishullin Tobago të Karaibeve.
Kushtet ishin perfekte për të notuar, thotë Peter Smith, 66 vjeç ish-drejtor i IT-së nga Hertfordshire. U zhyta dhe notova jo më shumë se 6 metra duke qëndruar deri në bel në ujë, tregon ai.
Papritmas ndjeu një objekt shumë të rëndë që i goditi këmbën dhe më pas pa rreth tij një peshkaqen rreth 3 metra të gjatë.
Duke pasur frikë se mos tërhiqej nën ujë, ai reagoi duke e goditur, ndërsa miqtë e tij që ndodheshin pranë ndërhynë për ta ndihmuar.
Fillova ta godisja peshkaqenin me grusht. Të them të drejtën, nuk e dija as vetë se çfarë po përpiqesha të bëja, por po e godisja, thotë Peter.
Ai ishte kafshuar në krah, këmbë dhe bark nga një peshkaqen dem, një nga më të rrezikshmit në botë.
Smith humbi një sasi të madhe gjaku dhe u tërhoq me urgjencë nga uji. Bashkëshortja e tij, Joanna, e cila ndodhej në breg, e përshkroi situatëm e tij si tmerruese, duke shtuar se plagët ishin shumë të rënda.
Fillimisht, Smith u dërgua në spitalin e vetëm në Tobago, por për shkak të mungesës së gjakut dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore, mjekët vendosën ta transferonin atë në Spitalin Jackson Memorial në Miami, SHBA.
Atje, ai iu nënshtrua dhjetëra operacioneve kirurgjikale për trajtimin e plagëve të rënda.
Si pasojë e sulmit, Smith ka probleme të përhershme me ecjen dhe ka humbur ndjeshmërinë në gishtat e njërës dorë për shkak të dëmtimit të nervave. Megjithatë, ai shprehet mirënjohës që ka mbijetuar dhe që nuk i ka humbur gjymtyrët.
Ekspertët e peshkaqenëve theksojnë se sulmet ndaj njerëzve janë shumë të rralla dhe se deti mbetet një hapësirë e egër me rreziqe natyrore.
Ata paralajmërojnë se peshkaqenët nuk duhet demonizuar, pasi shumica e incidenteve nuk janë sulme të qëllimshme.
