Samiti IV i Diasporës në Tiranë, MEPJ: Bëhuni pjesë, hapësirë ku rrënjët na bashkojnë
Samiti IV i Diasporës Shqiptare do të zhvillohet më 14–15 prill në Tiranë. Samiti duke synon forcimin e bashkëpunimit mes diasporës shqiptare dhe institucioneve në vend, si dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se ky samit vjen si një hap i radhës në procesin e angazhimit të vazhdueshëm të diasporës, duke e çuar bashkëpunimin në një fazë më të strukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.
Sipas MEPJ-së, Samiti IV i Diasporës synon të krijojë një hapësirë të thelluar dialogu dhe bashkëpunimi, ku përvoja ndërkombëtare e diasporës do të ndërthuret me prioritetet kombëtare të zhvillimit.
“Ky samit krijon një hapësirë të thelluar dialogu dhe bashkëpunimi, ku përvoja ndërkombëtare e diasporës ndërthuret me prioritetet kombëtare të zhvillimit. Fokus i veçantë do t’i kushtohet ideve, projekteve dhe iniciativave që lidhin ekonominë, inovacionin, kulturën, teknologjinë, arsimin dhe sipërmarrjen me vizionin për Shqipërinë 2030″, njoftoi MEPJ.
I ndërtuar si një platformë bashkëkrijimi, sipas MEPJ-së “samiti synon të forcojë lidhjen mes diasporës, institucioneve qendrore dhe aktorëve vendorë, duke kontribuar në politika gjithëpërfshirëse, partneritete funksionale dhe bashkëpunime të qëndrueshme ndërkombëtare. Pjesëmarrja në këtë proces nuk është simbolike, ajo është pjesë e mënyrës se si formulohen zgjidhjet dhe orientohen prioritetet për të ardhmen”.
Samiti IV i Diasporës fton profesionistë, sipërmarrës, krijues dhe ekspertë nga e gjithë bota të bëhen pjesë e këtij dialogu, të ndajnë përvojën e tyre dhe të kontribuojnë në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit.
“Bëhuni pjesë e Samitit IV të Diasporës. Një hapësirë ku rrënjët na bashkojnë, dhe vizioni i përbashkët na çon përpara”, njoftoi MEPJ.

