Blushi: Ilir Meta u rrëmbye nga policia me urdhër të Agasit

"Në një anë shpallni amnistinë për të ulur mbipopullimin në burgje, në anën tjetër miratoni burgun për parkingjet dyshe ndaj qytetarëve të ndershëm. Të paktën 251 anëtarë të bandave më të rrezikshme enden të lirë rrugëve, më i fundit një killer i rrezikshëm që u arratis nga spitali i Durrësit, që ju ia krijuat mundësitë, duke qenë as me pranga dhe as i ruajtur mirë. Jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë.

Nuk e fshihni dot, as me propagandë, sepse e pa e gjithë bota se çfarë ndodhi më 21 tetor 2024, me qëllim që të vidheshin zgjedhjet e 11 majit dhe terrorizuar anëtarët e Partisë së Lirisë, ish-presidenti i Republikës, në mbrojtje nga Garda, ish-kryetari i Kuvendit dhe ish-kryeministri Ilir Meta u rrëmbye në mes të ditës nga banda e maskuar e policëve, u mor me forcë u fut në furgon pa asnjë vendim gjykate.

Edhe ndërkombëtarët e nënvizuan këtë shkelje, ku rrëmbimi ndodhi në mesditë dhe vendimi i gjykatës doli dy orë më pas. Pra fiks dy orë i rrëmbyer dhe i marrë peng bashkë me shoferin e tij në atë periudhë, për të cilin nuk kishte asnjë urdhër ndalimi. Akt kriminal, banditesk, i kryer nga çeta e Ergys Agasit, me ndikim direkt nga çiraku i tij, kreu i Policisë, Ilir Proda dhe me ndihmën e ministrit tuaj që tani po largohet nga salla, Ervin Hoxhën, të cilin e shpërblyet si më të votuarin në zgjedhjet e 11 majit.

Ju e dini mirë se kush e urdhëroi dhe organizoi atë akt kriminal dhe rrëmbim, pra nga njeriu i afërt i Ramës, Ergys Agasi. Ndaj duhet që sot të jepni llogari për këtë krim me urdhër direkt të kreut të bandës qeveritare. Prej ditësh Avokati i Popullit ju ka dhënë në tavolinë rekomandime për të zbatuar, në lidhje me akin e rrëmbimit të zotit Ilir Meta, që e rrëmbyer në mënyrë mafioze, e vijoni ta mbani në izolim pa asnjë provë e fakt, me zero pasuri të paluajtshme. Meta qëndron i izoluar, kurse hajdutët tuaj janë të lirë e vijojnë të vjedhin.

Avokati i Popullit arriti në përfundimin se ndaj zotit Meta nuk janë shkelur vetëm të drejtat themelore, por edhe ato politike e drejta e fjalës, takimeve dhe komunikimit me mediat, deputetëve, eurodeputetëve, si rast unikal në Evropë e Botë. Përjashto ato që ndodhin në burgjet e Kim Jong Un. U bë kufizimi i takimeve, vetëm në 4 në muaj, kur ligji thotë ndryshe, përbën shkelje të rëndë sipas konventave ndërkombëtare. Po kështu rasti i deputetëve, më i fundit i deputetit Klevis Balliu, kur është e siguruar me ligj, u ndalua me urdhër të drejtorit patronazhist të burgut te “Jordan Misja”.

Ilir Meta u rrëmbye me urdhër të Edi Ramës, i lejohet vetëm një herë  në ditë e drejta e ajrimit, sigurisht me urdhër të Ramës. Edhe në burgjet e Putinit lejohen intervistat e të burgosurve politikë me mediat, kurse këtu jo, pse? Ndaj kërkoj dhënien e llogarisë nga ministri i drejtësisë se përse nuk zbatohen rekomandimet e Avokatit të Popullit”, tha Blushi.