Berisha: Kush tha që nuk jemi në komision? Janë manipulime!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës edhe pas seancës parlamentare.

“Nuk mund të kemi gjë tjetër në rend dite veç grushtit të shtetit që po bën Edi Rama. Ata mund të bëjnë çfarë të duan. Ne jemi në komision. Nëse duan të na përjashtojnë, le ta bëjnë”, deklaroi Berisha.

Ai mohoi pretendimet se opozita nuk po merr pjesë në punimet e komisioneve parlamentare, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të qëllimshme.

“Kush tha se nuk shkojmë në komision? Anëtarët e opozitës nuk janë njoftuar për asnjë mbledhje. Janë të gjitha manipulime të Edi Ramës për të spostuar vëmendjen, por ne jemi të përqendruar te grushti i tij i shtetit”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha u shpreh gjithashtu kritik ndaj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke i cilësuar ato si gënjeshtra.

“Jemi në komision, si nuk jemi? Kush tha që nuk jemi? Besoni gënjeshtrat e Taulant Ballës? Si mund t’i besoni atij?”, tha Berisha.