Atentati në Lezhë/ Zbardhet dëshmia e efektivit që ishte në berberhane! Policia rikthehet në vendngjarje, analizohet ADN-ja e gjakut

Polici i cili ishte i pranishëm gjatë atentatit në berberhanen në Lezhë, ku u plagos me armë zjarri Sokol Daci, ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen.

Mësohet se polici ka deklaruar se nuk ishte në shërbim dhe se prania e tij në zonë ishte krejtësisht rastësore. Sipas policit, për shkak të situatës me dinamikë të ngarkuar, ai nuk ka arritur të identifikojë autorët e atentatit.

Ai ka deklaruar se ka përdorur armën e zjarrit me qëllim neutralizimin e tyre, në përpjekje për të parandaluar pasoja më të rënda.

HETIMET

Ekspertët e Policisë janë rikthyer paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, pranë biznesit ku ndodhi atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme, ku u plagos berberi Sokol Daci.

Mësohet se grupi hetimor po kryen marrjen e gjurmëve të gjakut në vendngjarje, të cilat do t’i nënshtrohen analizës ADN për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një person tjetër të plagosur dhe për të identifikuar identitetin e tij.

Bëhet me dije se brenda berberhanes ku ndodhi atentati ishin 4 persona mes tyre një anëtar i fisit Nikulaj dhe një polic. Dyshohet se ky i fundit është kundërpërgjigjur me armë zjarri, ndaj policia ka dyshime se mund të ketë mbetur edhe një tjetër i plagosur nga ana e autorëve, por deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Thuhet se autorët, të cilë dyshohet të kenë qënë 3, kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe në kokë mbanin kapuçë dhe menjëherë janë larguar në drejtim të rrugës drejt fshatit Shënkoll.

Identiteti i autorëve ende nuk dihet, sakaq ka dyshime se Sokol Daci nuk ishte shënjestra e atentatit.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi pranë një berberhaneje, ku autorët dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të biznesit dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.

Dyshohet se shënjestra e atentatit nuk ka qënë berberi Sokol Daci, ndërkohë që në berberhane ndodheshin 4 persona, mes tyre edhe një anëtar i fisit Nikulaj.

Daci mori tre plumba dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.