"Reforma territoriale ndikon në zgjedhjet në Shqipëri"/ Nesho: Duhet marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës
Ish-diplomati Agim Nesho në një lidhje direkte për Ora News tha se reforma territoriale mbetet një nga reformat më të rëndësishme në vend, pasi ndikon drejtpërdrejt, në mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Sipas Neshës, një reformë e tillë duhet të garantojë përfaqësim proporcional për të gjitha rajonet e vendit, duke kërkuar konsensusin e dy forcave kryesore politike në Parlament.
Ai kritikoi qasjen e kryeministrit Rama ndaj reformave, duke përmendur se pavarësisht premtimeve dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar nga SHBA, Britania e Madhe dhe OSBE, reforma zgjedhore nuk u pranua.
Nesho gjithashtu u shpreh se, procesi po trajtohet përmes presionit dhe diktatit politik, duke nënvizuar se realizimi i reformave të rëndësishme kërkon konsensus mes palëve.
Fjala e plotë e ish-diplomatit:
“Kjo reformë është një nga reformat kryesore, e cila indirekt influencon edhe në mënyrën e kryerjes së zgjedhjeve, rezultatin e saj, për të patur një përfaqësim sa më të denjë proporcional. Një përfaqësim që do të kapi të gjithë rajonet e Shqipërisë dhe duhet një pjesëmarrje e dy grupimeve më të mëdha që janë në parlament.
Por dihet që Rama, të gjitha reformat e tij pavarësisht se ka premtuar dhe këtu dua të them reformën e parë zgjedhore kur me ndërmjetësimin e SHBA, Britanisë së Madhe dhe OSBE-s, në fund të fundit nuk e pranoi.
Edhe qasja ndaj kësaj reforme është në formën e një presioni dhe diktati.
Për të arritur realizimin e këtyre reformave, duhet konsensusi i dy palëve.
Nga njëra anë opozita e ka me rëndësi të marri pjesë në këtë reformë, për arsye të pritshmërisë dhe kërkesave të saj për të realizuar, një zgjedhje të ardhshme sa më të drejtë.
Nga ana tjetër, ka të bëjë me administrimin e territoreve, me mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.”
Ndiqni intervistën e plotë:
