Peleshi takim me raportuesin për Shqipërinë në PE, diskutohet avancimi i Shqipërisë drejt BE-së dhe reforma në drejtësi
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit takim me Andreas Schieder, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Peleshi nënvizoi rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit dhe vijimin e negociatave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e strukturore, për rritjen e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrjes parlamentare, me fokus të veçantë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.
Në takim u theksua gjithashtu mbështetja e gjerë popullore dhe nevoja e rëndësia e konsensusit politik e parlamentar dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për integrimin europian.
Në fokus të diskutimit ishte edhe përparimi në përmbushjen e kritereve të kapitujve 23 dhe 24, liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndjekja nga Kuvendi e rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025. U vlerësua qasja e bazuar në rezultate dhe rëndësia e zbatimit në praktikë të reformave transformuese.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa raporteri Schieder riafirmoi angazhimin për ta mbështetur këtë avancim, nëpërmjet rritjes së ndërveprimit të Parlamentit Europian me Kuvendin.
