Balluku, rekurs në Gjykatën e Lartë, kundërshton ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit

Numri dy i qeverisë Belinda Balluku ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kundërshton ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit, pasi me vendim GJKKO pasaporta e saj është e bllokuar.

Ndërkohë lidhur me masën e pezullimit nga ushtrimi i detyrës, Balluku nuk ka ngritur pretendime duke qenë se Apeli e ka pezulluar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

SPAK ka kërkuar nga Kuvendi autorizimin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, por ky proces po shtyhet nga mazhoranca me arsyetimin se janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin ose jo të saj nga detyra, ankim i bërë ky nga kryeministri Rama.

Gjykata Kushtetuese ndërkohë pritet të shpallë vendimin për kërkesën e Ramës për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Ballukut, vendim që sipas tij është në konflikt kompetencash me rolin e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.

Më herët kjo gjykatë ka vendosur ngrirjen e efekteve të pezullimit duke e kthyer Ballukun në detyrë deri në vendimin përfundimtar të çështjes.

Çështja u shqyrtua në themel më 22 janar, por gjyqtarët ende nuk kanë dalë me një vendim.