Salianji takim me demokratët në Himarë: Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim në Himarë me anëtarë dhe ish-drejtues të degës së PD-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shprehu rezerva për mënyrën se si po drejtohet Partia Demokratike, duke thënë se mungon demokracia e brendshme dhe se anëtarët nuk po përfshihen në vendimmarrje.

Pa demokraci të brendshme, Partia Demokratike humbet epërsinë morale. Pa respekt për anëtarësinë nuk ka opozitë të fortë”, deklaroi ai.

Salianji bëri të ditur se në Himarë është takuar me sekretarin e degës së PD-së, dy ish-kryetarë të degës, ish-kandidaten për kryetare bashkie dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Sipas tij, proceset e fundit brenda degës së PD-së në Himarë nuk kanë qenë të rregullta dhe janë zhvilluar pa garë të vërtetë, duke i cilësuar si një proces jo korrekt për anëtarët.

Deputeti theksoi se Partia Demokratike duhet të funksionojë me votë dhe me përfshirjen e anëtarësisë, nëse kërkon të jetë një opozitë e besueshme për qytetarët.

Demokratët vendosin. Demokratët duhet të dëgjohen. Ata janë pronarët e Partisë Demokratike dhe sakrifikuesit më të mëdhenj përballë regjimit.

Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale; pa demokraci të brendshme, nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve.”, shkruan Salianji.