BE mund t’u ndalojë hyrjen ish-ushtarëve rusë që luftuan kundër Ukrainës

Qindra mijëra ushtarë rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës mund të ndalohen të hyjnë në Bashkimin Evropian, sipas një propozimi të paraqitur nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.

Duke folur sot në një takim të BE-së në Bruksel, Tsahkna tha se ekzistojnë informacione sipas të cilave shumë ushtarë rusë synojnë të vijnë në Evropë pas një përfundimi të mundshëm të luftës.

“Kjo do të ishte e pamundur t’u shpjegohej qytetarëve”,  tha ministri estonez, duke i cilësuar ata si “persona shumë të rrezikshëm”.

Një dokument shoqërues i propozimit  thekson se rreth 1,5 milionë shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacione luftarake që nga viti 2022, ndërsa rreth 640 mijë prej tyre janë ende të angazhuar aktivisht.

Sipas dokumentit, këta persona kanë karakteristika të përbashkëta si përvoja luftarake dhe përdorimi i dhunës, si dhe përfshirje të mundshme në krime lufte dhe mizori të tjera ndaj popullsisë ukrainase.

“Prania e tyre e mundshme në territorin e BE-së nuk përbën vetëm rrezik për krime të dhunshme, por edhe një kanal të rëndësishëm për infiltrimin e krimit të organizuar, lëvizjeve ekstremiste dhe operacioneve armiqësore shtetërore në Evropë” , thuhet në dokument.

Sipas autorëve, Ish-luftëtarët janë gjithashtu veçanërisht të lehtë për t’u rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse.

Dokumenti vëren gjithashtu se në Rusi tashmë ekziston një lidhje mes ish-luftëtarëve dhe rritjes së dhunës.

Shumë prej të kthyerve kanë kryer krime të rënda, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre arriti nivelin më të lartë në 15 vitet e fundit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Sipas të dhënave, deri në 180 mijë të dënuar penalë janë rekrutuar drejtpërdrejt në njësi të posaçme ushtarake.