IA NGATËRRON TURISTËT / Gjetën një liqen të ngrirë në vend të burimeve termale në Tasmani

Inteligjenca artificiale i ka çuar turistët drejt burimeve termale që nuk ekzistojnë në Tasmani. Përgjegjëse e këtij gabimi është një kompani turistike australiane e cila i gjeneroi të dhënat me AI, pa kontrulluar saktësinë e tyre.

Një blog i gjeneruar nga inteligjenca artificiale në faqen e një kompanie australiane turistike i ka futur turistët në telashe, pasi rezultoi se burimet termale të përmendura në Tasmaninë veriore nuk ekzistojnë.

Blogu, i cili tashmë është fshirë nga faqja e Tasmania Tours, rekomandonte të ashtuquajturat “Burimet Termale të Weldborough”, duke i përshkruar si një strehë e qetë në pyjet e verilindjes së Tasmanisë dhe si një destinacion i preferuar për alpinistët.

Pronari i kompanisë Australian Tours and Cruises, Scott Hennessey, pranoi gabimin e rëndë. Ai shpjegoi se materialet e marketingut ishin deleguar tek një palë e tretë dhe se, ndonëse zakonisht ai i kontrollon të gjitha publikimet, ky artikull ishte publikuar ndërkohë që ai ndodhej jashtë vendit.

Kristy Probert, pronare e Hotelit Weldborough, i tha CNN-it se u habit kur turistët nisën ta pyesnin për burimet termale që në shtator.

“Në fillim ishin vetëm disa telefonata. Por më pas njerëzit filluan të vinin me turma. Merrja rreth pesë telefonata në ditë dhe dy deri në tre persona vinin fizikisht në hotel duke kërkuar burimet. Ne jemi në një zonë shumë të largët, ndaj ishte vërtet e çuditshme.” shpjegon ajo.

Sipas saj, lumi Weld është akull i ftohtë dhe zakonisht përdoret vetëm nga kërkues mineralesh, të cilët veshin kostume zhytjeje.

Anne Hardy, profesoreshë e asociuar e turizmit në Universitetin Southern Cross në Australi, thotë se inteligjenca artificiale është bërë gati e kudondodhur në turizëm, duke shtuar se rreth 37% e turistëve përdorin AI për këshilla ose itinerare udhëtimi.

Studimet tregojnë se 90% e itinerareve të gjeneruara nga AI përmbajnë gabime, gjë që mund të ketë pasoja serioze, sidomos në zona të izoluara si Tasmania, ku mungon mbulimi celular dhe shërbimet emergjente.