BE DYSHUESE PËR “PAQEN” RUSE/ Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas paralajmëron për Rusinë

Bashkimi Europian thotë se përballë bombardimevëe ruse ndaj ukrainasve nevojitet presion më i madh ndaj Moskës për të parë reagime konkrete. Në deklaratën e dhënë Shefja e politikës së jashtme Kaja Kallas hodhi poshtë idenë e krijimit të një ushtrie të përbashkët europiane.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se Rusia po përpiqet të bombardojë ukrainasit për t’i detyruar të dorëzohen, duke theksuar se dimri i ashpër dhe situata humanitare janë duke u përkeqësuar.

Gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së, Kallas theksoi se delegacioni rus në bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe përfaqëson vetëm personel ushtarak dhe nuk ka mandat për të arritur marrëveshje paqësore, duke vënë në dyshim angazhimin e Moskës për procesin e paqes.

Ajo paralajmëroi se nevojitet presion më i madh ndaj Rusisë për të parë reagime konkrete.

Sinkron Kallas Shqetësimi im është se kemi parë shumë lëshime nga pala ukrainase, por kjo po e turbullon situatën, sepse Ukraina nuk është ajo që po bën agresionin. Është Rusia ajo që po e bën këtë. Pra, ne duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë në mënyrë që të shohim lëshime nga pala ruse.

Ajo gjithashtu hodhi poshtë idenë e krijimit të një ushtrie të përbashkët europiane.

Sinkron Kallas Në ushtri duhet të kesh një zinxhir komande shumë të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm, në mënyrë që sa herë që ndodh diçka, të jetë e qartë se kush i jep urdhra kujt. Nëse krijojmë struktura paralele, atëherë kjo thjesht do ta vështirësonte situatën.

Në lidhje me Lindjen e Mesme, BE-ja pritet të rendisë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me Al-Kaidën, Hamasin dhe ISIS-in, si përgjigje ndaj shtypjes brutale të protestuesve në vend.

Sinkron Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist

BE-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve dhe institucioneve iraniane që kontribuojnë në shtypjen e protestuesve.