Luksemburgu kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE/ Ministri i Jashtëm: Mos përshpejtoni procesin me ultimatume, respektoni kriteret

Luksemburgu i thotë “Jo” anëtarësimit të Ukrainës në BE: Ne kemi rregulla dhe duhet t’i respektojmë ato

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, reagoi ndaj thirrjeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian që nga viti i ardhshëm.

Ai u shpreh se procesi nuk mund të përshpejtohet me ultimatume dhe se duhet respektuar kriteret e Kopenhagës, të cilat vlejnë njësoj për të gjitha vendet kandidate.

“Mos vendos ultimatume. Kjo nuk është në interesin tënd,” tha Bettel, duke shtuar se nuk mund të ketë përshpejtim artificialisht të anëtarësimit dhe se nuk mund të favorizohet një vend mbi tjetrin.

Deklaratat vijnë ndërsa Kievi shton presionin diplomatik ndaj Brukselit për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, në një kohë kur lufta me Rusinë vazhdon të jetë një sfidë e madhe për Ukrainën.