Vengu: Sa herë që na akuzoni për keqmenaxhim dhe për vjedhje, duhet të rikujtoni këtë fakt...

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, zoti Vengu u ndal në tre shtylla kryesore të aktit normativ të fundvitit.

Së pari, ai evidentoi rritjen historike të buxhetit të mbrojtjes, duke siguruar realizimin e objektivave për sigurinë kombëtare dhe sovranitetin teknologjik. 

Së dyti, ai iu përgjigj kritikave të opozitës mbi financat, duke argumentuar se ulja e borxhit dhe deficitit janë prova të pakontestueshme të mirëqeverisjes dhe jo të 'vjedhjes' apo 'keqmenaxhimit' siç pretendohet.

Së treti, Vengu theksoi reagimin e shpejtë të shtetit ndaj emergjencave, duke garantuar kompensimin e dëmeve nga zjarret dhe mbështetjen për bashkitë e prekura brenda vitit fiskal, duke dëshmuar një qeverisje që qëndron pranë qytetarëve.

"Do të doja të kërkoja mirëkuptimin e të gjithë kolegëve që të riktheheshim në rendin e ditës dhe ndihmën e kryetarit për këtë efekt.

Një element i rëndësishëm i aktit normativ të dhjetorit dhe besoj se përbën interes për të gjithë qytetarët dhe madje dhe për të gjithë anëtarët e kuvendit, është hera e parë që në një akt normativ, buxhet fundviti, kemi një rritje të buxhetit të mbrojtjes.

Elementi i parë, kemi 97% të buxhetit të mbrojtjes 25 totalisht të ezauruar, çka tregon të kundërtën e asaj fotografie të reme që tha parafolësi përsa i përket menaxhimit të financave publike.

Dhe të gjitha këto realizohen duke ulur defiçitin, duke ulur borxhin.

Dhe sa herë që na akuzoni për keqmenaxhim dhe për vjedhje, duhet të rikujtoni këtë fakt: ulje të borxhit, ulje të defiçitit. Këto janë dy kriteret e mirëqeverisjes, të nderuar, në qoftë se jeni ende të interesuar për mirëqeverisjen.

Një element tjetër thelbësor të këtij akti normativ ka të bëjë me kompensimet e dëmeve të zjarreve të vitit 2025.

Edhe këtu është një shtet që reagon, reagon në kohë, reagon brenda vitit dhe falë këtij akti normativ kemi mundur që të ezaurojmë gjithashtu dhe kompensimet për bashkitë e prekura nga zjarret.

Kjo është fotografia e qeverisjes tonë: më pranë qytetarëve në nevojë, më pranë qytetarëve në raste emergjencash dhe absolutisht të linjizuar me angazhimet tona përsa i përket rritjes së buxheteve të mbrojtjes në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare dhe sovranitetit tonë teknologjik", u shpreh Vengu.