‘Turpi që s’ka turp’, Cara zbardh skandalin me fondet publike: Nga paratë për Beketin te shpërblimet për bashkitë

Gjatë diskutimit në Kuvend, deputeti i opozitës, Igli Cara kritikoi ashpër qeverinë për përdorimin e vazhdueshëm të akteve normative, duke e cilësuar këtë si provë të dështimit në planifikim dhe qeverisje.

Ai evidentoi se ndërsa fondet për shtresat në nevojë dhe ish-të përndjekurit politikë mbeten të ngrira ose të pamjaftueshme, qeveria gjen hapësira për të alokuar dhjetëra milionë euro për detyrime të tjera.

Pika kulminante e diskutimit ishte çështja e 'Albcontrol' dhe gjyqi i humbur me Francesco Becchettin. Deputeti kujtoi deklaratën e famshme të Kryeministrit Rama se 'asnjë qindarkë nuk do të shkojë për Beketin', ndërkohë që faktet tregojnë të kundërtën.

Sipas tij, vetëm në tetor u alokuan mbi 30 milionë euro dhe me aktin e ri normativ po jepen edhe 40 milionë euro të tjera (20 milionë shtesë kapitali dhe 20 milionë detyrime), duke e rënduar buxhetin e shtetit për shkak të tekave politike që çuan në bllokimin e llogarive të 'Albcontrol'.

"Në fakt po e nis me një replikë me zotin ministër, nuk është e vërtetë zoti ministër që në kohën e qeverisjes tonë kishim më pak të ardhura.

Aktet normative dhe në atë kohë u bënë pikërisht për arsye të rritjes së të ardhurave dhe realokim të fondeve për shpenzime.

Në fakt, ju nuk e dini, ka pasur një debat në atë periudhë, në fakt është apo jo e ligjshme, është apo jo anti-kushtetuese, sepse aktet normative në fakt përdoren në raste të veçanta.

Në këtë rast ju sot, me sa di, nuk e di më korrigjoni në qoftë se nuk jam i saktë, sillni akt normativ për këtë vit, është i 11-ti, për vitin 2025, apo jo? Dhe kjo nuk është, tregon pozitivitet.

Sepse është një provë e radhës të një qeverie që ka dështuar. Po pra, numri 11.

Që përpiqet të mbulojë me shifra të ngrira dhe propagandë bajate.

Kemi përpara në fakt dokument nga qeveria që i faturon qytetarëve pasojat e paaftësisë së qeverisjes.

E teksa Rama përpiqet të shesë manipulimin e radhës, prodhimi i brendshëm bruto nuk ndryshon, defiçiti nuk ndryshon. Ndryshojnë vetëm shpenzimet për pushtetin.

Dhe po ju jap disa nga shpenzimet. Qeveria alokon 2 pik, 12.3 milionë euro fonde shtesë për transfertën e pakushtëzuar ndaj njësive të qeverisjes vendore. Me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të këtyre bashkive.

Pyetja që lind është, këto bashki a janë të gjitha tuajat? Ka ndonjë përgjegjësi për për pashlyerjen e detyrimeve?

Vjen kjo nga abuzimet në shtesat e administratës dhe emërimet politike?

Vazhdojmë më poshtë. 12.5 milionë euro u shtuan me akt normativ në fondin e ndihmës ekonomike dhe paaftësinë.

Shumë mirë. Por e në të njëjtën mënyrë si gjithmonë, si dhurata në fundviti, por pa zgjidhur hallet e përditshme të këtyre shtresave me varfëri të thellë.

Që marrin më pak se minimumi etik që nevojitet. Vazhdojmë më tej, asnjë ndryshim financimi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Duke ruajtur vlerën 14 milionë euro për vitin 2025.

Mos harrojmë në vitin 2013, ishin 30 milionë euro çdo vit. Nuk ndryshon fondi i rindërtimit. Dhe asnjë info nuk ka përsa i përket ecurisë së ndërtimit të objekteve.

Ky duhet të ishte një proces i mbyllur në fund të 2022-shit, sipas Ramës. Sot, prej tre vitesh qytetarët në Durrës nuk marrin bonus qiratë dhe për më tepër, mijëra qytetarë akoma nuk janë strehuar.

Vazhdojmë më tej. Albkontrolli. Vetëm dy muaj më parë me aktin normativ të tetorit, Albkontroll mori financimin e radhës nga buxheti i shqiptarëve.

Si pasojë si pasojë e bllokimit të llogarive për të paguar faturën e Beketit. Në formën e transfertës kapitale mbi 30 milionë euro.

Tashmë me këtë akt normativ të dhjetorit, qeveria i jep dhe 40 milionë euro të tjera, 20 milionë euro në formën e shtesës së kapitalit dhe 20 milionë euro për detyrimet ndaj Korporatës Shqiptare të Investimeve, për arkën e mbetur bosh të Albkontroll, nga zbatimi i vendimit të arbitrazhit nga Beketi.

Dhe pyetja që lind, a ju kujtohet çfarë thonte Rama para disa vitesh? Asnjë qindarkë nuk do të shkojë për Beketin. Keni ndonjë koment kur miliona eurove të këtij vendi të varfër shkojnë përsëri për Beketin? Bën gjithmonë Rama, sikur nuk ka mendje, nuk dëgjon kur kapet mat.

Vazhdon para me abuzimin e radhës, fiks modeli Rama. Modeli i një autokrati që rrit vetëm pushtetin e tij, keqpërdor taksat dhe abuzon me paranë publike. Kjo mazhorancë me arrogancën e vet flaku 206 amendamente të opozitës, por jo vetëm, dhe ndonjë përfaqësuesi të mazhorancës.

Kjo mazhorancë ka kthyer kuvendin në një noter të veprimeve korruptive të Ramës. Kjo mazhorancë kaçkice e rrëmbyese, rrëmbyese e çdo pasurie publike, nuk përbën asnjë zgjidhje pro qytetarit, pro pensionistit, pro të pamundurit. Kjo mazhorancë, kjo qeveri ka vetëm një emër, turpi që s'ka turp", u shpreh Cara.