Ekonomia shqiptare po ‘fluturon’/ Shalsi: Shifrat e fundit që tregojnë një rritje të jashtëzakonshme

Deputeti socialist, Eduart Shalsi, paraqiti në Kuvend një panoramë optimiste të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se vendi ndodhet në një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm.

Gjatë diskutimit për një akt normativ, Shalsi theksoi se shifrat makroekonomike dëshmojnë për një menaxhim të mirë dhe një rritje solide, të konfirmuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

"Sot po diskutojmë një akt normativ, por në fakt sot po flasim për ekonominë.

Dhe nuk po flasim me shpresë, por po flasim me fakte, me evidenca.

Dhe dëgjova me shumë vëmendje deri tani ata pak deputetë të opozitës, të cilët nuk i kanë kuptuar që janë disa të dhëna të cilat nuk është se i themi thjesht ne. Por i konfirmojnë dhe institucionet financiare ndërkombëtare, përveç atyre vendase.

Dhe treguesit makroekonomikë dëshmojnë se jemi në një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm.

Kemi një rritje ekonomike solide. Nëntëmujori i parë vinte në 3.2, me sa duket viti 2023 do të mbyllet me 3.8% rritje ekonomike.

Inflacioni është në kontroll, jemi tek niveli 2.2%.

Borxhi publik është në trend rënës dhe është në shifrat pesë... rreth 54%, niveli më i ulët prej, mos gaboj, 15 vitesh.

Nga ana tjetër, punësimi përmirësohet. Dhe këto nuk janë thjesht numra. Këto janë shenja, këto janë sinjale të një ekonomie e cila po mirëmenaxhohet, po mirëadministrohet.

Dhe po t'i hedhim një sy të ardhurave, shpenzimeve, të ardhurave nga doganat, nga tatimet, kontributet, do të shohim se të gjitha janë në trend rritës.

Dhe duhet të kuptojmë që të dhënat makro, këto indikatorë makro, nuk janë aksidental.

Por janë fryt dhe reflektojnë një përgjegjshmëri në menaxhimin e financave publike, një klimë biznesi konkuruese dhe madje po të shohësh disa të dhëna të qarkullimit vjetor, po të shohësh disa të dhëna të tjera mbi rritjet e xhirove për bizneset e mëdhaja, të mesme dhe të vogla, tregojnë një trend jashtëzakonisht pozitiv.

Pra, kjo vjen si rezultat i besimit që kanë investitorët, qoftë të brendshëm, qoftë dhe ato të huaj.

Dhe mjafton t'i hedhim një sy të dhënave të nëntëmujorit, pasi ato të 2023-shit përfundimtare do të duhet dhe pak kohë, me investimet e huaja në Shqipëri. Janë 4% më të larta.

Ky është një akt normativ që në fakt dëshmon edhe për ëh, një përqëndrim të alokimeve në fund të vitit tek shtresat në nevojë.

Dhe mjafton të shohësh llogarinë e pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, se sa shumë është rritur, rreth 150 milionë euro.

Mjafton të shohësh bonusin për personat me aftësi të kufizuar apo ata me ndihmë ekonomike, për të kuptuar që ka një komponent fuqishëm ky akt normativ social.

Thënë këto, sfidat mbeten. Për shembull, nëse konstatojmë me kënaqësi që rreth 90% e skemës mbështetëse për fermerët është shpërndarë, apo 93% e naftës është shpërndarë, duam të besojmë që këtë vit skema do të jetë shumë më efikase.

Dhe gjej rastin të them se, dy-tre ditët e fundit kemi patur takime shumë intensive në Tropojë, por edhe në Kukës dhe në Has, me fermerët e asaj zone, dhe jam i bindur që ministri i Bujqësisë po e bën këtë në të gjithë Shqipërinë. Për arsye se është shumë e rëndësishme që këto skema, këto fonde të jenë sa më efiçente dhe sa më efikase", u shpreh Shalsi.