Një strategji e re për nxitjen e arsimimit britanik jashtë vendit
Një strategji e re për të nxitur arsimimin britanik jashtë vendit, në kuadër të një plani madhor rritjeje prej 40 miliardë paund, është publikuar në BM, sipas një njoftimi të ambasadës britanike në Tiranë.
Qeveria britanike paraqet një Strategji ambicioze Ndërkombëtare për Arsimin për të përforcuar rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar.
Strategjia e re dhe e guximshme synon të rrisë eksportet e arsimit në 40 miliardë paund në
vit deri në vitin 2030, duke mbështetur vendet e punës dhe investimet në Mbretërinë e
Bashkuar.
Shkollat, kolegjet dhe universitetet britanike mbështeten për të konkurruar në kërkesën
globale me rritje të shpejtë.
Si pjesë e planit të Qeverisë për rinovimin kombëtar, arsimi po fuqizohet si një motor kryesor i rritjes ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ministrat paraqesin një Strategji të re Ndërkombëtare për Arsimin me synimin për të eksportuar ofertën arsimore dhe të aftësive të nivelit botëror të vendit në mbarë globin.
Strategjia përcakton një ambicie të qartë për të rritur vlerën e eksporteve të arsimit në 40
miliardë paund në vit deri në vitin 2030 duke mbështetur ofruesit që të shpërndajnë arsimin britanik jashtë vendit në tregje të reja dhe në zgjerim.
Arsimi është tashmë një nga eksportet më të vlefshme të vendit, duke sjellë 32 miliardë paund në vit në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe duke tejkaluar në vlerë industrinë e automobilëve apo atë të ushqimit dhe pijeve.
Eksportet e arsimit përfshijnë shkollat, kolegjet dhe universitetet britanike që ofrojnë arsim
britanik jashtë vendit, studentët ndërkombëtarë që studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kualifikimet, trajnimet dhe mësimin digjital britanik të shitur jashtë vendit.
Strategjia Ndërkombëtare për Arsimin u bën thirrje ofruesve britanikë të shfrytëzojnë pozicionin unik të Mbretërisë së Bashkuar dhe të përmbushin kërkesën globale gjithnjë në rritje për arsim me cilësi të lartë. Ajo do t’i mbështesë ata duke ndihmuar në heqjen e barrierave burokratike për zgjerimin jashtë vendit.
Ndryshe nga strategjia e mëparshme e publikuar në vitin 2019, kjo qasje heq objektivat për numrin e studentëve ndërkombëtarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe, duke vazhduar të mirëpresë studentët ndërkombëtarë, zhvendos fokusin drejt rritjes së eksporteve arsimore jashtë vendit, duke mbështetur ofruesit britanikë që të zgjerohen ndërkombëtarisht, të ndërtojnë partneritete jashtë vendit dhe të ofrojnë arsim britanik në tregje të reja.
Sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson, tha se ”arsimi britanik është një nga eksportet tona më të vlefshme dhe kjo strategji e mbështet sektorin për të shkuar edhe më tej, duke nënvizuar angazhimin tonë për të nxitur rritjen e Mbretërisë së Bashkuar. Duke u zgjeruar jashtë vendit, universitetet, kolegjet dhe ofruesit tanë të arsimit mund të diversifikojnë të ardhurat, të forcojnë partneritetet globale dhe t’u japin miliona njerëzve më shumë akses në një arsim britanik të klasit botëror pranë vendbanimit të tyre, duke nxitur njëkohësisht rritjen ekonomike në vend. Kjo strategji dhe Plani ynë për Ndryshim do të nxisin një rritje që sjell përfitime për ekonominë tonë dhe për komunitetet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, si dhe për pozicionin tonë në botë”.

