Amerika nuk e 'heq' shënjestrën nga Greonlanda/ JD Vance: Do të na duhet kontrolli i Arktikut, për të rrëzuar raketa
Shtetet e Bashkuara synojnë të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar akses dhe kontroll mbi Groenlandën, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë çështje me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen nga raketat, sipas deklaratave të zv. presidentit amerikan J.D. Vance ditën e enjte.
Gjatë fjalimit të tij mbi negociatat për aksesin e SHBA-së në ishull, Vance theksoi se Uashingtoni “do të vazhdojë të përpiqet të sigurojë kontroll mbi këtë masë tokësore”, duke përmendur rëndësinë strategjike të Groenlandës për mbrojtjen e Arktikut dhe sistemin e mbrojtjes nga raketat.
“Do të na duhet kontrolli i Arktikut për të qenë në gjendje të rrëzojmë një raketë. I gjithë sistemi ynë i mbrojtjes nga raketat varet nga kjo siguri e Arktikut”, tha ai.
Vance nënvizoi gjithashtu se negociatat me NATO-n po përparojnë mirë, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen apo kohën e bisedimeve, duke lënë të kuptohet se Groenlanda po diskutohet edhe në kuadër të bashkëpunimit transatlantik dhe planifikimit të mbrojtjes kolektive.
Deklaratat e zv. presidentit vijnë pas fjalimeve të mëparshme të Presidentit Donald Trump, i cili tha se detajet e një marrëveshjeje amerikane mbi Groenlandën janë ende në përpunim.
Trump u shpreh se SHBA nuk planifikon të paguajë për ishullin, duke përjashtuar çdo ide për përdorimin e forcës, dhe theksoi se negociatat kanë të bëjnë me akses të plotë në të ardhmen, pa një afat kohor të caktuar.
Në një intervistë për Fox Business Network nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Trump pranoi se lajmi për Groenlandën kishte ndikuar në rritjen e tregut të aksioneve dhe konfirmoi se marrëveshja është ende në zhvillim.
“Po negociohen tani detajet, por në thelb është akses i plotë. Nuk ka fund, nuk ka afat kohor”, tha ai.
Analistët e sigurisë dhe strategët ndërkombëtarë e vlerësojnë Groenlandën si një territor kritik për zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve raketore, për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike në Arktik, duke e bërë objektiv të rëndësishëm për SHBA dhe partnerët e saj.

