Pas 4 vitesh luftë, 'hapet dera' e dialogut/ Zelensky: Do ketë një takim tripalësh Ukrainë-SHBA-Rusi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyyr Zelensky, ka deklaruar nga Davos se shumë shpejt do të zhvillohet një takim tripalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me synim diskutimin e mundësive për vendosjen e paqes mes Kievit dhe Moskës.
Sipas Zelenskyt, takimi pritet të mbahet në Abu Dhabi, në dy ditët në vijim, fakt i konfirmuar edhe nga një gazetar i Axios.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik, teksa agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të hyjë në vitin e katërt muajin e ardhshëm.
Sipas të dhënave të Global Conflict Tracker, deri më tani lufta ka shkaktuar mbi 53 mijë viktima civile, ndërsa rreth 7 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi.
Ndërkohë, administrata amerikane ka ringjallur përpjekjet diplomatike duke propozuar një draft të rishikuar të marrëveshjes së paqes, me rreth 20 pika, por dokumenti është refuzuar nga Moska.
Takimi i paralajmëruar në Abu Dhabi shihet si një përpjekje e re për të zhbllokuar procesin diplomatik dhe për të testuar gatishmërinë e palëve për një zgjidhje politike të konfliktit.
