Goditet cisterna e 'fshehtë' e Rusisë/ Macron paralajmëron: Anijet e sanksionuara nuk kalojnë pa u ndëshkuar

Marina Franceze, me mbështetjen e anijeve aleate, ka sekuestruar një cisternë të lidhur me flotën në hije të Rusisë, e cila po lundronte në Detin Mesdhe, pavarësisht se ishte nën sanksione ndërkombëtare.

Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një postimi në rrjetin social X, ku theksoi se Parisi nuk do të tolerojë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje”, shkroi Macron, duke shtuar se Franca është e vendosur të mbrojë të drejtën ndërkombëtare dhe të sigurojë zbatimin efektiv të sanksioneve.

Sipas deklaratës së plotë të presidentit francez, Marina Franceze hipi në cisternë pasi dyshohej se ajo po lundronte nën flamur të rremë, ndërsa operacioni u zhvillua në det të hapur, në përputhje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit.

Macron bëri me dije se ndaj incidentit është nisur një hetim gjyqësor, ndërsa anija është detyruar të devijojë nga kursi i saj.

Presidenti francez theksoi se aktivitetet e të ashtuquajturës “flotë në hije” përdoren për të financuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, duke e bërë zbatimin e sanksioneve një prioritet strategjik për Francën dhe aleatët e saj.