Takimi në Davos/ Zelensky: Trump na ndihmoi të forcojmë qiellin e Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vlerësuar si pozitiv dhe produktiv takimin e zhvilluar në Davos me presidentin Donald Trump, duke thënë se fokusi kryesor i bisedimeve ishte mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Në një postim në 'X', Zelensky u shpreh se takimi ishte thelbësor dhe se bashkëpunimi mes ekipeve të dy vendeve vijon intensivisht.
“Ishte një takim pozitiv, produktiv dhe thelbësor. Diskutuam punën e ekipeve tona dhe praktikisht çdo ditë ka takime ose komunikime. Dokumentet tani janë përgatitur edhe më mirë”,- shkroi presidenti ukrainas.
Zelensky tha se gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e mëparshme amerikane ka dhënë rezultate konkrete.
“Takimi ynë i mëparshëm me presidentin Donald Trump ka ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së qiellit tonë dhe shpresoj që edhe këtë herë të arrijmë ta forcojmë atë më tej. E falënderova presidentin Trump për paketën e mëparshme të raketave të mbrojtjes ajrore dhe kërkova edhe një paketë shtesë”, u shpreh Zelensky.
Takimi në Davos vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila vijon të përballet me sulme ajrore dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme nga aleatët perëndimorë.
