Mblidhet Komisioni për Bordin e Paqes, Spiropali: Drafti nuk sjell kosto shtesë për Buxhetin

Është mbledhur sot, më 22 janar 2026, Komisioni i Jashtëm ku është diskutuar mbi përmbajtjen e projektligjit për Bordin e Paqes.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi me pika përmbajtjen, ndërsa ftoi deputetet që të votojnë, duke theksuar se për projektligjin janë marrë opinionet e disa ministrive të ndryshme dhe institucioneve përkatëse për këtë marrëveshje.

“Ky partneritet mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe garanci për orientimin euroatlantik të vendit.

Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, ky projektligj është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare.

Karta e Bordit të Paqes parashikon që asnjë shtet nuk është i detyruar të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tyre dhe se sovraniteti kombëtar mbetet i paprekur”, u shpreh Spiropali.

Teksa prezantoi disa nga krerët që përmban karta e Bordit të Paqes, Spiropali theksoi se: “Shtetet mund të përfaqësohen në bord nga kreu i shtetit ose kreu i qeverisë.

Çdo shtet anëtar ka një mandat tre vjeçar, subjekt i rinovimit nga kryetari i bordit të paqes”.

Sa i përket projektligjit, ajo shtoi se: “në këtë fazë, projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Kontributet do të jenë vullnetare dhe do të planifikohen në mënyrë transparente në buxhetin ne Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Akti është hartuar nga ministria  në bazë të informacioneve të sjella nga ambasada e SHBA-ve në Uashington”.