Hendeku mes diplomës dhe tregut të punës, Llazo: Këshillimi i Karrierës, një hallkë pothuajse inekzistente

Ekspertja e arsimit, Ana Llazo, e zhvendosi diskutimin e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” te një aspekt tjetër thelbësor: lidhja e shkëputur mes arsimit universitar dhe nevojave reale të tregut të punës.

Ajo argumentoi se rritja e investimeve në arsim mund të ndihmojë në frenimin e emigrimit, por vetëm nëse këto investime orientohen drejt rritjes së cilësisë dhe punësimit real.

Llazo vuri theksin te domosdoshmëria e këshillimit të karrierës, një hallkë që aktualisht është pothuajse inekzistente ose jofunksionale si në sistemin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar.

Sipas saj, studentët shpesh zgjedhin degë studimi pa pasur informacion të saktë mbi mundësitë e punësimit, duke përfunduar me diploma që nuk u sigurojnë një të ardhme në profesionin e tyre.

Ekspertja theksoi gjithashtu nevojën për t'i dhënë vlerë reale diplomës shqiptare. Për shumë të rinj, emigrimi shihet si e vetmja rrugë për t'u bërë pjesë e një tregu pune meritokratik ndërkombëtar, pasi tregu vendas perceptohet si i mbyllur dhe i padrejtë. Ajo sugjeroi se financimi duhet të fokusohet te kërkimi shkencor dhe te kualifikimi i vazhdueshëm i stafit, për të prodhuar profesionistë që janë konkurrues jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.

Për Llazon, çdo ndryshim ligjor apo reformë mbetet e zbrazët nëse nuk përkthehet në zbatim rigoroz. Ajo tha se në tavolinat e diskutimit duhet të përfshihen ekspertë të vërtetë dhe jo vetëm burokratë, si e vetmja mënyrë për ta çuar sistemin përpara.

Megjithatë, ajo ritheksoi se çelësi qëndron te krijimi i një mjedisi ku studenti ndihet i vlerësuar dhe ku investimi në dije përkthehet në mirëqenie ekonomike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”