Bardh Spahia përballë GJKKO-së, SPAK refuzon provën e paraqitur nga avokati: Nuk ka lidhje me çështjen
Gjyqi ndaj Bardh Spahisë në GJKKO, avokati i deputetit të PD-së, njëherazi ish-kryebashkiak i Shkodrës, ka depozituar një provë të re, ndërsa SPAK është shprehur kundër, duke theksuar se ajo nuk ka lidhje me çështjen.
Avokati i Bardh Spahisë deklaroi: “Po ju depozitojmë rastin e një procedure prokurimi ku Mark Molla, në cilësinë e drejtorit të Ujësjellësit, nuk e ka përmbushur siç duhet detyrën lidhur me këtë tender, pasi vendimi i tij është rrëzuar nga Komisioni i Prokurimeve Publike”.
Mësohet se bëhet fjalë për tenderin e furnizimit me klor, por SPAK ishte kundër administrimit të kësaj prove.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, u shpreh se institucioni mban të njëjtin qëndrim për këtë provë, pasi për të është bërë me dije që në fazën e hetimit paraprak. Sipas saj, fakti që mbrojtja pretendon të provojë nuk lidhet me shkakun për të cilin Spahia akuzohet.
“Bardh Spahia mund të kishte ndjekur rrugë të tjera ligjore, si auditimi apo procedura të tjera, për mos përmbushjen e detyrave nga Mark Molla në cilësinë e drejtorit. Kërkojmë që kjo provë të mos pranohet si provë e re dhe të mos bëhet pjesë e shqyrtimit gjyqësor, pasi nuk ka lidhje me lirimin nga detyra të administratorit”, deklaroi Bejko.
Bardh Spahia është marrë i pandehur dhe po gjykohet për veprën penale “pengim i ekzekutimit të vendimit të gjykatës”.
Gjyqtarja Rudina Palloj mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u dha kohë palëve të përgatiten për diskutimet përfundimtare, ndërsa SPAK do të paraqesë pretencën më 3 shkurt, në orën 10:00.
