Mbylli dyert dhe sinjalin për mediat, Kushtetuesja i përgjigjet “Ora News”: Kemi problem teknik ...
Sipas kalendarit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, sot në orën 10:00 duhej të mbahej një seancë publike me kërkues Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë. Vetë Gjykata, në kalendar, specifikon se bëhet fjalë për një seancë plenare publike.
Duke qenë se në të gjitha seancat plenare publike media ka pasur akses përmes kanalit YouTube të Gjykatës Kushtetuese për të ndjekur seanca me rëndësi të veçantë, gazetari Isa Myzyraj ka kërkuar një shpjegim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje.
“A është zhvilluar seanca ditën e martë, sipas kalendarit zyrtar të Gjykatës? Nëse jo, përse?
Nëse seanca është zhvilluar, përse nuk është transmetuar “live”, siç ka ndodhur në praktikën e mëparshme të Gjykatës?”, ishin pyetjet e gazetarit të “Ora News” drejtuar Kushtetueses.
Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se situata ka ndodhur për shkak të një problematike teknike të evidentuar më herët dhe që vijon të jetë në proces verifikimi, transmetimi i saj “live stream” nuk mund të realizohej.
PËRGJIGJA E GJYKATËS KUSHTETUESE
I nderuar z. Myzyraj,
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë se seanca plenare publike e parashikuar sipas kalendarit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese për datën 20 janar 2026 është ende duke u zhvilluar.
Për shkak të një problematike teknike të evidentuar më herët dhe që vijon të jetë në proces verifikimi, transmetimi i saj “live stream” nuk mund të realizohej.
Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për garantimin e transparencës, brenda mundësive teknike ekzistuese.

