Kita: Buxheti i arsimit, në nivele kritike! Qiraxhi: Në BE autonomia universitare është e shenjtë

Një nga temat më akute të diskutuara në panelin e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” ishte financimi i pamjaftueshëm i sistemit arsimor në Shqipëri.

Të ftuarit evidentuan se niveli aktual i financimit, i cili lëviz rreth shifrës 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), është ndër më të ulëtat jo vetëm në Europë, por edhe në rajonin e Ballkanit.

Ata kërkuan që ky buxhet të rritet urgjentisht në nivelin 4% ose 5% të PBB-së, për të mundësuar një transformim real të infrastrukturës dhe cilësisë së mësimdhënies.

Emiliano Kita theksoi se financimi i ulët është shkaku kryesor i pagave mizerabël të mësuesve dhe pedagogëve, gjë që demotivon stafin akademik dhe ul cilësinë e shërbimit arsimor.

Ai argumentoi se rritja e buxhetit do të sillte përmirësime të prekshme, nga laboratorët e deri te kushtet fizike të godinave universitare.

Ai tha se nevojitet një ndërhyrje "kirurgjikale" për të larguar ndikimin politik nga arsimi.

Nga ana e tij Migen Qiraxhi argumentoi se në vendet e zhvilluara europiane, autonomia universitare është e shenjtë dhe politika nuk dikton jetën akademike.

Sipas tij, roli i akademisë duhet të jetë ai i oponencës dhe mendimit kritik ndaj qeverisjes, dhe jo ai i servilizmit.

Diskutimi preku gjithashtu mungesën e kontributit të universiteteve shqiptare në zgjidhjen e krizave kombëtare.

Qiraxhi vuri në dukje se gjatë përmbytjeve, pandemisë COVID-19 apo krizave sociale, universitetet kanë qëndruar të heshtura, duke mos ofruar studime apo ekspertizë për të ndihmuar politik-bërjen.

Kjo "heshtje akademike" u interpretua nga ata si pasojë e drejtpërdrejtë e politizimit dhe mungesës së lirisë akademike, ku universitetet kanë frikë ose paaftësi për të prodhuar mendim kritik që mund të bjerë ndesh me narrativën qeveritare.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”