“Dekriminalizohet shpifja për gazetarët”, Dhuka: Ja hapat drejt BE-së në 2027
Deri në fund të 2027-ës, Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo u deklaruar nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, gjatë një konference për mediat, në krah të ministrave Adea Pirdeni dhe Toni Gogu.
Dhuka tha se janë 12 nisma ligjore të rëndësishme që Kuvendi i ka në shqyrtim.
“Në vitin 2025 Shqipëria çeli negociata për të gjitha fushat, për 33 kapituj. Më 17 nëntor çelëm negociatat për 5 kapitujt e fundit, 2026 është vit i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE, me aspiratën që në vitin 2027 ti kemi arritur përgatitjet ose kushtet për mbylljen e negociatave.
Kjo është një punë komplekse, por edhe shumë pozitive sa i përket transformimit europian të vendit, që nga shtetit tek ekonomia, shërbimet për qytetarët, heqja e barrierave mes Shqipërisë dhe BE.
Mes çeljes së negociatave edhe mbylljes, Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit për reforma europiane, si edhe aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit europian në shërbime dhe jetën e qytetarëve. Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh.
Do prezantojmë 12 nisma ligjore që i ka në shqyrtim kuvendi që lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe mbrojtjes nga diskriminimi, mbështetjet për familjen, duke provuar që vendi e ka vullnetin social politik për ti mbrojtur shtetasit e vet, për ti ofruar shërbime më të mira të standardit europian.
Kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtje 6 projektligje që i janë propozuar kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje që janë inciuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kjo paketë garanton progres në lidhje me standardin evropian dhe praktikën më të mirë në 3 grupe çështjesh të rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar, barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes dhe së treti në masat për parandalimin e korrupsionit”, tha Dhuka.
Në vijim ajo u shpreh se Shqipëria do të dekriminalizojë shpifjen ndaj gazetarëve dhe do të rishikohet ligji i lobimit. Gjithashtu do të krijohen dy regjistra, njëri për lobimin dhe tjetri për donacionet e sponsorizimet, të cilët do të shërbejnë për rritjen e transparencës.
“Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve duke i garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës.
Një numër vendesh të BE e kanë ende të kriminalizuar shpifjen, përfshirë edhe gazteraët për shkak se ekzistojnë sfida të mëdha në lidhje me dezinformimin për shkak të botës dixhitale në të cilën jetojmë. Por Shqipëria mendon se realizimi i këtoj ndryshimi është nëj investimi rëndësishëm në demokraci dhe lirinë e shprehjes dhe në forcimin e rolit të madh që kanë gazetarët në këtë drejtim.
Një risi tjetër e rëndësishme është që pas shumë vitesh Shqipëria më në fund do të ketë një ligj që rregullon aktivitetin e lobimit për të rregulluar me kujdes ndërhyrjet në vendimmarrjen publike”, tha Dhuka.
