Arsimi i Lartë, Qiraxhi: Rishikimi i ligjit mbi bazën e një analizë të detajuar të dështimeve të ligjit aktual

Diskutimi në studion e “Epiqendër” në “Ora Neës” nisi me një analizë të thellë mbi deklaratat e fundit të qeverisë shqiptare lidhur me nevojën për një rishikim të Ligjit për Arsimin e Lartë.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i “Qëndresa Qytetare”, shprehu rezerva të forta lidhur me seriozitetin e kësaj nisme, duke e cilësuar atë si një përsëritje të retorikës së vjetër pa veprime konkrete.

Sipas Qeraxhiut, arsimi i lartë në Shqipëri ka hyrë në një fazë kritike reflektimi, por kjo nuk duhet të jetë thjesht një manovër politike.

Ai theksoi se nevoja për ndryshime ligjore ka qenë evidente prej kohësh dhe se vonesa në adresimin e këtyre problematikave ka kosto të larta për vendin, veçanërisht në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Europian.

"Një arsim modern dhe cilësor është hapi që na afron me Europën," u shpreh ai, duke nënvizuar se standardet aktuale janë larg atyre të kërkuara nga BE-ja.

Ai solli në vëmendje historikun e premtimeve qeveritare, duke kujtuar se dy vite më parë, Kryeministri Rama kishte zhvilluar takime të ngjashme me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe rektorët, ku ishte pranuar nevoja për rishikim.

Megjithatë, asnjë hap konkret nuk u ndërmor pas atyre takimeve. Kjo mungesë konsistence ngre pikëpyetje mbi vullnetin real politik për të ndërhyrë në një ligj që ka shkaktuar debate të forta që në miratimin e tij.

Qeraxhi kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës dhe planit konkret. Ai argumentoi se një njoftim për rishikim ligji duhet të shoqërohet minimalisht me një analizë të detajuar të dështimeve të ligjit aktual ose me një plan pune të qartë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”