Organizata ndërkombëtare Reporterët Pa Kufij, resagon për deklaratat e Ramës: RTSH duhet të mbrohet nga ndikimi politik
Organizata ndërkombëtare Reporterët Pa Kufij (RSF) ka shprehur shqetësim të thellë për deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH). Sipas RSF, propozimet e Kryeministrit për mbylljen ose privatizimin e medias publike dhe kërcënimi për të pezulluar financimin e RTSH deri në përmbushjen e “meritave” përbëjnë një rrezik serioz për lirinë e medias në Shqipëri.
RSF thekson se RTSH ndodhet aktualisht në një krizë të thellë, por institucioni duhet të mbrohet nga ndikimi politik dhe të reformohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian për media publike.
“Reporterët pa Kufij janë të alarmuar nga propozimet e Kryeministrit Edi Rama për mbylljen ose privatizimin e medias publike, si dhe nga kërcënimi për të mos financuar transmetuesin publik RTSH derisa ai ta “meritojë” këtë. RTSH ndodhet në një krizë të thellë, por duhet të mbrohet nga ndikimi politik dhe të reformohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama shfaqi hapur kritika për mënyrën e menaxhimit të Radio Televizionit Shqiptar, duke e quajtur një dështim. Pas mbledhjes së grupit të PS, kryeministri tha se Shqipëria nuk ka televizion publik, ndërsa shërbimin e televizionit publik e konsideroi si “shërbimi me mizerabël në botë”. Kreu i qeverisë tha se asnjë lekë nga taksat publike nuk duhet të shkojë më për televizionin publik derisa të reformohet. Para deputetëve të PS, Rama tha se në çdo takim që ka pasur me drejtorët e këtij institucioni ia ka dhënë si opsion mbylljen për t’u rikthyer më pas.