Faza e dytë e projektit në Tropojë: Një hap i rëndësishëm për sovranitetin energjetik të Shqipërisë
Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të sovranitetit energjetik me fazën e dytë të projektit për ndërtimin e një parku me energji të rinovueshme me erë në Tropojë.
"Kjo javë ka qenë e rëndësishme edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, pasi kemi hedhur edhe një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të sovranitetit energjetik, duke fuqizuar kështu themelet e ekonomisë dhe duke iu afruar atij momenti kur Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të paguajë nga taksat e shqiptarëve për të importuar energji nga jashtë.
E kam fjalën për hapin e hedhur për fazën e dytë të projektit madhor të parkut me energji të rinovueshme me erë në Tropojë. 600 megavat, një hap dhe një fazë e re që shënon finalizimin e një përpjekjeje të përbashkët rreth dyvjeçare me kompaninë amerikane, lidere në energjinë e rinovueshme në Europë, CWP, dhe në këtë mënyrë, falë një procesi parapërgatitor që është faktikisht më i shkurtër se vetë procesi i ndërtimit, kam bindjen se në një kohë 12 muaj punë, pa llogaritur periudhat kur dimri është realisht në fazën që e bën të pamundur punën normale në terren, ne do të kemi parkun me energji".
