Ura e Milotit në rrezik, reagon Hoti: Ku shkoi fondi 1 mln euro për ndërhyrjen emergjente?
Ndërhyrja emergjente për mbrojtjen e themeleve të Urës së Milotit, me fond limit 1 milion euro, duket të jetë një tjetër rast i qartë i menaxhimit të dështuar dhe i përdorimit të fondeve publike për interesa klienteliste.
Deputetja e PD-së, Elda Hoti ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e pretenduar në Urën e Milotit, që sipas ligjvënëses, po rrezikon izolimin e qytetarëve.
Hoti pyet se ku kanë shkuar 1 milion eurot e dhëna për këtë urë?
“Ndërhyrja emergjente për mbrojtjen e themeleve në Urën e Milotit, me fond limit 1 milion euro.
Një tjetër tender i dyshimtë, i mbështjellë me mjegullën e aferave dhe interesave klienteliste, që ekspozon edhe një herë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.
Sot, pas të ashtuquajturit investim emergjent realiteti flet vetë, këmbët e urës janë qartësisht të dëmtuara, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i bllokuar. Paratë publike janë shpenzuar, por siguria nuk është garantuar.
Kush mban përgjegjësi për një ndërhyrje që jo vetëm nuk zgjidhi problemin, por la qytetarët të izoluar dhe të rrezikuar?
Kjo nuk është paaftësi. Kjo është grabitje e organizuar e fondeve publike.
Qytetarët e Milotit dhe gjithë veriu i vendit janë lënë të braktisur,
Infrastruktura po shembet, ndërsa përgjegjësit fshihen pas tenderëve emergjentë dhe heshtjes institucionale.
Një arsye se pse ura e Milotit është ne këtë situatë është edhe marrja pa kriter e inerteve.”– tha Hoti.
