Shqipëria dhe bashkëpunimi trilateral në energjinë e gjelbër: Roli strategjik në zhvillimin e qëndrueshëm
Në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria mori pjesë në një panel ku u diskutuan përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e kapaciteteve energjetike. Kryeministri i Malit të Zi dhe udhëheqës të tjerë diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e shfrytëzimit të teknologjisë si mjet për arritjen e këtyre qëllimeve, duke pasur parasysh procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
"Java ka patur një tjetër moment tejet të rëndësishëm që është shënuar gjatë vizitës sonë në Emiratet e Bashkuara, ku isha i ftuar të merrja pjesë në Samitin tradicional tanimë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku ishin organizuar edhe një sërë panelesh, një ndër të cilët ishte paneli ku, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, ne iu përgjigjëm një sërë pyetjesh që shprehnin interesimin, pikërisht, për përpjekjet që po bëjmë në sensin e zhvillimit të qëndrueshëm, të rritjes së kapaciteteve energjetike dhe, patjetër, edhe në sensin e shfrytëzimit maksimal të teknologjisë, si një instrument shumë i rëndësishëm në funksion edhe të procesit të anëtarësimit.
Kam qenë shumë krenar kur kam folur për bashkëpunimin trilateral mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, ku Shqipëria ka një rol kyç, si vendi ku do të krijohet një kapacitet gjenerimi i energjisë së gjelbër, që përmes kabllit nënujor që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, do të transmetohet në Itali dhe në vende të tjera, duke i dhënë Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm strategjik. Por më e rëndësishmja, kam përcjellë edhe një mesazh për të cilin unë personalisht, po edhe e gjithë shumica jonë qeverisëse, ka krenarinë të jetë bartëse – Shqipëria sovrane në energji.
Pasi, sipas programit dhe sipas të gjitha hapave që po i hedhim mbi planin e detajuar për këtë program, Shqipëria do të ketë sovranitet energjetik brenda këtij mandati të qeverisë sonë, mandatit të 83 mandateve".
