Rama: Vlerësim i jashtëzakonshëm/ Medalja e Presidentit Mohammed bin Zayed dhe roli i Shqipërisë në Arenën Ndërkombëtare
Moment i veçantë për Kryeministrin e Shqipërisë, i cili shpërfaq një emocion të thellë dhe krenari pas marrjes së medaljes më të lartë të Emirateve të Bashkuara nga Presidenti Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Ky vlerësim, i dhënë në Pallatin Presidencial, është një moment që i ngarkon me përgjegjësi më të mëdha dhe i jep më shumë motiv për përmbushjen e misionit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në skenën ndërkombëtare.
"Një tjetër moment që më ka prekur personalisht dhe më ka lënë pa fjalë, për hir të së vërtetës, gjë që nuk më ndodh shpesh, siç edhe mund ta merrni me mend, se te fjalët nuk mbetem ndonjëherë mangut përgjithësisht, por këtë herë kam mbetur mangut, ishte momenti kur një mik i madh i Shqipërisë, një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një personalitet i madh i politikës botërore, që jam i nderuar ta quaj mik, më ka bërë një surprizë në Pallatin Presidencial, duke më akorduar medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve, Sheikh Zayed, dhe e kam fjalën këtu për Presidentin Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i cili më ka bërë një vlerësim që realisht, për nga mënyra, vendi dhe, mbi të gjitha, për nga pesha që ka, është absolutisht i paharrueshëm.
Nuk e di sa unë e meritoj, por di që të qenit në radhë me ata që e kanë marrë më parë këtë vlerësim më bën shumë krenar për Shqipërinë si kryeministër shqiptar dhe, njëkohësisht, më ngarkon edhe me më shumë, si të thuash, përgjegjësi, nëse mund të ketë akoma, në raport me çuarjen përpara të këtij misioni që më kanë besuar shqiptarët, që është Shqipëria në Bashkimin Evropian dhe një Shqipëri krenare, dinjitoze, kryelartë kudo në botë".
