Rama për Konferencën e Rektorëve: Rishikimi i Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Forcimi i Partneriteteve Ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis qeverisë dhe universiteteve për përmirësimin e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Ai nënvizoi nevojën për rishikimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, duke theksuar se ky ligj ka sjellë një përmbysje, por tani është koha që të përshtatet me sfidat e reja.

"Gjatë javës kemi marrë pjesë, së bashku me Ministren e Arsimit, të ftuar në Konferencën e Rektorëve, një takim i rëndësishëm për vazhdimin e përpjekjes së përbashkët mes qeverisë dhe universitetit, botës akademike, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit tonë të lartë, në funksion të ndërkombëtarizimit të arsimit tonë të lartë dhe në funksion të racionalizimit të burimeve dhe potencialeve në arsimin tonë të lartë. Kemi zhvilluar një diskutim të hapur.

Unë kam paraqitur ato që janë, sipas nesh, sfidat mbi të cilat duhet të vendosen piketat e reja, duke filluar nga një rishikim i Ligjit të Arsimit të Lartë, për të cilin ka ardhur koha, pasi tanimë është krijuar një eksperiencë; ligji na mundësoi një përmbysje të madhe, por sot është e qartë që, mbi bazën e eksperiencës dhe, natyrisht, të sfidave të reja, ligji duhet të rishikohet dhe këtë gjë do ta bëjmë së bashku, pa diskutim, me universitetet. Nga ligji, pra, deri te rritja e përpjekjeve për të shtuar zinxhirin që tanimë ka filluar të shtrihet në territor, të ndërkombëtarizimit përmes partneriteteve të ngushta me universitete të njohura në Evropë dhe botë dhe përmes programeve të përbashkëta.

Po ashtu, një aspekt tjetër është edhe qasja ndaj financimit, gjëra për të cilat do të flasim më hollësisht në takimin që ne mbajmë rregullisht si një këshill i përbashkët, po themi joformal, por shumë efikas, mes qeverisë dhe përfaqësuesve të universiteteve, ku këtë radhë do të jenë ftuar të gjithë përfaqësuesit, pa dallim të universiteteve publike dhe atyre private, ose më saktë, universiteteve publike me financim shtetëror dhe universiteteve publike me financim privat".