INTERVISTA NGA QELIA/ Meta: Shqiptarët i shpëton vetëm guximi i tyre. Zemërimin ta shpërthejnë në protesta

Në një intervistë ekskluzive për SYRI.NET, Presidenti Ilir Meta shprehet se vetëm guximi qytetar mund ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e thellë politike dhe sociale.

Duke folur për protestën kombëtare të thirrur më 24 Janar, Meta thekson se zemërimi i akumuluar i shqiptarëve duhet të shpërthejë në protesta të fuqishme, duke e cilësuar këtë datë si një “shkëndijë jetike” për të mbajtur gjallë revoltën deri në ndryshimin e shumëpritur.

Ai nënvizon se qeveria nuk mund të rrëzohet me deklarata, por vetëm me reagim të vendosur qytetar kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë.

INTERVISTA

Opozita ka thirrur protestë kombëtare më 24 janar. A mund të përmbyset kjo Qeveri me protesta?

Është e sigurt se kjo Qeveri nuk mund të rrëzohet vetëm me konferenca shtypi. Për 5 ditë qyteti i Vlorës mbeti pa ujë dhe askush nuk e vriste mendjen sepse patronazhistët kishin vjedhur një pajisje rezervë.

Por menjëherë sa qytetarët e Vlorës nisën protestën erdhi tubi me avion special.

Zemërimi dhe revolta është në ndërgjegjen e çdo shqiptari të ndershëm duke përfshirë këtu edhe shumë socialist që jo vetëm përmbyten njësoj si në Durrës, Fier e gjetkë, por edhe që vidhen njësoj me hidrovore dhe kolektorë që nuk punojnë, por edhe argjinatura të sapoinaguruara që rrëzohen si ajo e Semanit.

Sikur të mos mjaftonin këto, qytetarët shpallen edhe fajtorë nga Kreu i Organizatës Kriminale se fajin e paskan ata që hedhin shishe plastike. Po kjo administrata e tij vendore e qendrore që është dyfishuar në këto 10 vite çfarë bën?

Ndaj zemërimi duhet të shpërthejë përmes protestave lokale dhe kombëtare që këto fatkeqësi që vijnë nga korrupsioni i pafre të mos përsëriten më.

Ndaj edhe protesta e 24 Janarit është shumë e rëndësishme të shërbejë si një shkëndijë jetike që mban gjallë flakën e revoltës deri në Ndryshim.