Nga monitorimi te ndihma: Angazhimi i Kryqit të Kuq Shqiptar në përballimin e përmbytjeve
Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për Raste Katastrofash në Kryqin e Kuq Shqiptar, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër”, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, ku foli për angazhimin e organizatës pas situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Xhengo nënvizoi se Kryqi i Kuq është angazhuar në mënyrë aktive, duke ndjekur situatën nga afër përmes degëve rajonale, duke kontaktuar me autoritetet lokale dhe duke angazhuar vullnetarët për të qenë në gatishmëri.
Ai theksoi gjithashtu se vullnetarët janë përfshirë në ndihmën direkte për familjet që u gjendën në vështirësi për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga reshjet.
Koordinatori bëri thirrje për bashkëpunim mes komunitetit dhe strukturave të emergjencës, duke theksuar rëndësinë e gatishmërisë dhe solidaritetit për të përballuar situata të tilla dhe për të mbështetur ata që kanë nevojë.
