Tarrelli: Reshjet kanë sjellë dëme te perimet dhe bazat ushqimore të blegtorisë

Irfan Tarrelli, këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër”, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, ku foli për situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit dhe pasojat e tyre në bujqësi.

Gjatë bisedës, Tarrelli theksoi se të gjitha strukturat tona kanë qenë në gatishmëri për të menaxhuar situatën.

Ai shtoi se problematika kryesore e evidentuar lidhet me përmbytjet në perime, sidomos në sera, si dhe dëmet në bagëti.

Sipas tij, një tjetër shqetësim i rëndësishëm ka të bëjë me dëmtimin e bazave ushqimore për blegtorinë, që mund të ndikojë në ushqimin e kafshëve në ditët në vijim.

Tarrelli u shpreh se autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po ndërmarrin masa për të minimizuar pasojat për fermerët dhe blegtorët e prekur.