Përmbytjet, Balluku në terren: Semani është kthyer në shtratin e tij. Do të kompensohen të gjithë banorët
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka zbritur në terren për të monitoruar nga afër situatën në zonën e Hasturkas, e prekur nga rritja e nivelit të ujërave.
Gjatë inspektimit, Balluku bëri të ditur se situata po shkon drejt përmirësimit, pasi niveli i lumit Seman ka shënuar një rënie prej 15 centimetrash.
Edhe prurjet në kaskadën e Devollit janë aktualisht në kuota minimale, gjë që bën të mundur që hidrocentralet të mos kenë nevojë të kryejnë shkarkime, duke ulur rrezikun për përmbytje të mëtejshme.

Në lidhje me argjinaturën e dëmtuar të lumit Seman, Balluku tha se janë identifikuar disa pika problematike, ndërsa ndërhyrja për riparimin e tyre do të nisë menjëherë.
“Jemi në një stad më të përmirësuar të situatës. Lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Evakuimi i qytetarëve është bërë i plotë. Kishim një situatë me barinjtë që nuk po arrinin të kontaktonin, ata janë gjetur dhe janë të sigurt. Ndërsa në dy tre ditët në vijim nuk parashikohet reshje dhe kjo do jetë koha për të rikuperuar. Do të kompensohen të gjithë banorët e prekur nga përbytjet”, u shpreh Balluku.

